Donte të vriste Donald Trump, por më parë ekzekutoi nënë e babë

Nga A2 CNN
14 Prill 2025, 07:14 | Bota

Donte të vriste Donald Trump, por më parë ekzekutoi

Një adoleshent 17-vjeçar nga Wisconsin është akuzuar për një krim tronditës që, sipas autoriteteve, ishte pjesë e një plani më të madh për të vrarë presidentin amerikan Donald Trump.

FBI thotë se Nikita Casap, një nxënës i shkollës së mesme, vrau nënën e tij dhe njerkun për të siguruar para dhe burime për të realizuar një atentat ndaj Trump dhe për të rrëzuar qeverinë amerikane.

Hetuesit zbuluan se në telefonin e Casapit kishte materiale të ekstremit të djathtë, përfshirë lavdërime për Adolf Hitlerin dhe lidhje me një grup neo-nazist të quajtur "Urdhri i Nëntë Këndëve". Ai gjithashtu kishte shkruar plane për vrasjen e Trumpit si pjesë e një “revolucioni politik”.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Casap qëlloi për vdekje njerkun dhe më pas edhe nënën e tij rreth datës 11 shkurt. Trupat e tyre u zbuluan nga autoritetet më 28 shkurt, pasi djali mungoi në shkollë për dy javë.

Kur u arrestua në Kansas, Casap kishte me vete armën e krimit, para të gatshme, bizhuteri, kartat bankare të prindërve dhe një sasi të madhe parash të fshehura në një Bibël. FBI tha se ai kishte blerë një dron dhe eksploziv për të përdorur në sulmin ndaj Trump, dhe planifikonte të arratisej në Ukrainë.

Dokumentet tregojnë se ai ishte në kontakt me individë në Rusi për këtë plan dhe nuk kishte vepruar vetëm.

Adoleshenti përballet me akuza të rënda, përfshirë dy vrasje të shkallës së parë, fshehje kufome, vjedhje identiteti dhe komplot për terrorizëm. Ai nuk i ka pranuar akuzat dhe pati një seancë gjyqësore më 9 prill.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos