“Drita e ditëve të errëta të Shqipërisë”. Mediat ndërkombëtare, homazhe për Kadarenë

Nga Rosalba Bejdo
1 Korrik 2024, 15:25 | Bota

Nga "New York Times" tek "Washington Post", Associated Press, e AFP; mediat më prestigjioze ndërkombëtare i bëjnë homazh, e shkruajnë për humbjen e atij e cilësojnë si gjeniun e letërsisë shqipe. “Ismail Kadare - një dritë rrëzëlluese në ditët më të errëta të Shqipërisë”, është titulli i agjencisë franceze të lajmeve AFP, e cila thotë se me stilin e sofistikuar, Kadare ishte krahasuar shpesh me George Orwell apo Franz Kafkën. 

“Ai përdori metaforën dhe ironinë për të zbuluar natyrën e tiranisë e regjimit të Enever Hoxhës”, shkruan AFP, teksa citon fjalët e shkrimtarit në një intervistë të mëhershme për agjencinë, “Kohërat e errëta sjellin surpriza të pakënaqshme por të bukura”.  Agjencia e lajmeve kujton se shkrimtari ishte përmendur shpesh si pretendent i mundshëm i çmimit Nobel.

Ismail Kadare, gjiganti i letërsisë shqipe vdes në moshën 88-vjeçare, e titullon The Guardian, artikullin kushtuar humbjes së shkrimtarit. E përditshmja britanike shkruan se historitë e tij alegorike, që ofronin një vështrim mbi jetën nën regjimin komunist kishin gjeneruar vlerësim mbarëbotëror, por se Kadare kishte këmbëngulur gjithmonë se nuk ishte një shkrimtar politik.

“Nën hijen e regjimit diktatorial, Kadare analizonte shoqërinë bashkëkohore përmes lenteve të alegorisë dhe miti, në romane të tilla si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” apo “Pallati i ëndrrave”, i përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, ai fitoi një sërë çmimesh përfshirë Man Booker Prize”, shkruan media britanike.

Associated Preess informon për vdekjen e Kadaresë duke e cilësuar atë si shkrimtari me famë botërore ndërsa kujton se vitin e kaluar presidenti francez Emanuel Macron e kishte vlerësuar atë me titullin “Officer i Madh i legjionit të Nderit”. “Ismail Kadare, romanet e të cilit i treguan botës vështirësitë e shqiptarëve vdes në moshën 88-vjeçare”, shkruan prestigjiozja “New York Times” e cila thotë se romancieri dhe poeti kishte vendosur shtetin e tij të izoluar ballkanik në hartën e letërsisë botërore.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos