
Një gjykatë në Aachen, në Gjermani, ka shpallur fajtor një 61-vjeçar gjerman për drogimin, përdhunimin dhe filmimin e bashkëshortes së tij për vite me radhë, duke shpërndarë më pas pamjet në internet pa dijeninë e saj, shkruan A2 CNN. Rasti ka tronditur opinionin publik dhe është krahasuar me çështjen famëkeqe të Dominique Pelicot në Francë.
I pandehuri, Fernando P., i cili punonte si roje shkolle, u dënua me 8 vjet e 6 muaj burg. Gjykata theksoi se ai ka shkelur rëndë “sferën më intime të jetës private dhe të drejtat personale” të viktimës, përmes regjistrimeve në të paktën 34 raste. Sipas vendimit, ai e ka vënë në gjumë fshehurazi bashkëshorten në shtëpi dhe ka kryer abuzime seksuale ndërsa ajo ishte pa ndjenja, duke i filmuar aktet dhe duke i shpërndarë në grupe dhe platforma online.
Krimet u vërtetuan për periudhën 2018–2024, ndonëse akuzat përfshinin një shtrirje gati 15-vjeçare. Vendimi u shpall pikërisht një vit pas dënimit të francezit Pelicot, rast që ndezi debat të gjerë mbi dhunën me bazë gjinore dhe mizogjininë në Europë. (A2 Televizion)