Robelli: Kosova duhet të shpëtojë nga politikanët e saj

Nga A2 CNN
6 Tetor 2026, 22:16 | Aktualitet
 

Gazetari Enver Robelli ka kritikuar ashpër klasën politike në Kosovë, duke e akuzuar për mungesë kompromisi, përçarje dhe përdorim të çështjeve politike për interesa elektorale.

Duke komentuar situatën politike në Kosovë në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Robelli tha se besimi mes partive është në nivele minimale dhe paralajmëroi mundësinë që vendi të rikthehet sërish në zgjedhje.

“Këta politikën e shndërrojnë vetëm në sinonim të mashtrimit. Besimi mes partive është zero. Besoj që gjithçka ka mbaruar dhe Kosova do shkojë brenda dy viteve prapë në zgjedhje, të katërtat në radhë”, u shpreh Robelli.

Ai kritikoi gjithashtu gjuhën e përplasjes dhe akuzave brenda shoqërisë kosovare, duke e cilësuar si shqetësuese atmosferën e linçimit.

Sipas Robellit, dikur kishte një pritshmëri se ndërkombëtarët do të ndërhynin për të zgjidhur ngërçet politike në Kosovë, por sot kjo nuk është më e sigurt, pasi vëmendja e aktorëve ndërkombëtarë është përqendruar te prioritete të tjera.

“Më herët ka ekzistuar një farë shprese që kur politikanët e Kosovës e bënin pis punën, ndërhynin ndërkombëtarët, por bota ka prioritete të tjera. Të shpresojmë që Kosova do të shpëtojë nga politikanët e saj”, tha Robelli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos