Tajlanda dhe Kamboxhia kanë intesifikuar luftimet në një nga përshkallëzimet më të ashpra në më shumë se një dekadë, pavarësisht thirrjeve nga rajoni dhe më gjerë për një armëpushim të menjëhershëm në një konflikt kufitar që ka vrarë të paktën 16 persona.
Ushtria e Tajlandës raportoi sulme që para agimit në provincat Ubon Ratchathani dhe Surin dhe tha se Kamboxhia kishte përdorur artileri dhe sisteme raketash BM-21 të prodhuara në Rusi. Autoritetet thanë se 100,000 njerëz ishin evakuuar nga zonat e konfliktit në anën tajlandeze, shkruan A2 CNN.
"Forcat kamboxhiane kanë kryer bombardime të vazhdueshme duke përdorur armë të rënda, artileri fushore dhe sisteme raketash BM-21", tha ushtria tajlandeze në një deklaratë. "Forcat tajlandeze janë përgjigjur me zjarr mbështetës të përshtatshëm në përputhje me situatën taktike."
Të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për fillimin e konfliktit në një zonë kufitare të diskutueshme, e cila u përshkallëzua shpejt si pasojë e bombardimeve të rënda në të paktën gjashtë vende përgjatë një kufiri ku sovraniteti është diskutuar për më shumë se një shekull.
Luftimi shpërtheu të enjten vetëm disa orë pasi Tajlanda thirri ambasadorin e saj në Phnom Penh natën e kaluar dhe dëboi të dërguarin e Kamboxhias, në përgjigje të humbjes së një gjymtyre nga një ushtar i dytë tajlandez nga një minë tokësore që Bangkoku pretendonte se ishte vendosur së fundmi nga trupat rivale. Kamboxhia e ka hedhur poshtë këtë si të pabazë.
Tajlanda kishte pozicionuar gjashtë avionë luftarakë F-16 të enjten në një vendosje të rrallë luftarake, njëri prej të cilëve u mobilizua për të goditur një objektiv ushtarak kamboxhian, ndër masat që Kamboxhia i quajti "agresion ushtarak i pamatur dhe brutal".
Përdorimi i një F-16 nga Tajlanda nënvizon avantazhin e saj ushtarak ndaj Kamboxhias, e cila nuk ka avionë luftarakë dhe ka dukshëm më pak pajisje dhe personel mbrojtës, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër. (A2 Televizion)