Azia është përfshirë nga tensione të mëdha, pasi përplasjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias në kufirin e përbashkët kanë hyrë në ditën e dytë të luftimeve intensive. Të dyja palët kanë shkëmbyer zjarr me artileri të rëndë dhe raketa, duke rrezikuar seriozisht përshkallëzimin e konfliktit në një luftë të hapur.
Sipas ushtrisë tajlandeze, goditjet kanë nisur në orët e para të mëngjesit në provincat kufitare Ubon Ratchathani dhe Surin. Tajlanda ka akuzuar Kamboxhian për përdorim të artilerisë dhe raketave ruse BM-21, ndërsa vetë ka reaguar me zjarr të drejtpërdrejtë. Në një deklaratë, kryeministri i përkohshëm i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, paralajmëroi se "nëse situata del jashtë kontrollit, mund të shpërthejë një luftë e vërtetë".
Ministria e Brendshme tajlandeze njoftoi se mbi 100 mijë qytetarë janë evakuuar nga katër provincat kufitare dhe janë strehuar në gati 300 qendra emergjente. Deri më tani janë konfirmuar 14 viktima, mes tyre 13 civilë dhe një ushtar.
Nga ana tjetër, autoritetet kamboxhiane raportojnë se një civil 70-vjeçar ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur nga goditjet e ushtrisë tajlandeze. Phnom Penh pretendon se veprimet e saj ishin në vetëmbrojtje, pas një "inkursioni të pajustifikuar" nga trupat tajlandeze.
Situata u përshkallëzua edhe më shumë kur Kamboxhia lëshoi raketa drejt territorit tajlandez, një prej të cilave goditi një pikë karburanti. Tajlanda reagoi duke ngritur në ajër gjashtë avionë luftarakë F-16, dy prej të cilëve thuhet se u rrëzuan nga mbrojtja ajrore kamboxhiane – një pretendim që Tajlanda e mohon.
Përplasjet kanë rrënjë që nga fundi i majit, kur në "Trekëndëshin e smeraldit" ndodhi një incident që la të vrarë një ushtar kamboxhian. Tashmë, rajoni është në prag të një konflikti të plotë ushtarak.
(A2 Televizion)