
Romania ka ngritur në ajër avionët e saj luftarakë pasi një tjetër dron i panjohur ka depërtuar në hapësirën e saj ajrore, në kohën kur Rusia po kryen bombardime të ashpra pranë kufirit të NATO-s. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Bukuresht, droni është pikasur në radar për rreth 12 minuta, duke u shfaqur mbi zonat kufitare me Republikën e Moldavisë dhe Ukrainën. Autoritetet theksuan se nuk ka pasur raportime për rrëzim dronësh apo dëme materiale në territorin rumun, por pas alarmit të dhënë u ngritën në ajër të avionëve F-16 të Forcave Ajrore Rumune.
Ky incident vjen pas një serie hyrjesh të dronëve në hapësirat ajrore të vendeve europiane gjatë muajve të fundit, shkruan A2 CNN. Që nga shtatori, më shumë se 20 dronë rusë kanë kaluar në territorin e Polonisë, ndërsa në Rumani, që prej nisjes së pushtimit rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022, fragmente dronësh kanë rënë disa herë në tokë. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen i ka cilësuar këto ngjarje si formë të “luftës hibride” të ushtruar nga Moska.
Ndërkohë, Rusia ka nisur një prej fushatave më intensive të sulmeve me raketa dhe dronë kundër qyteteve ukrainase. Në Kharkiv janë plagosur të paktën 46 persona, mes tyre fëmijë, ndërsa në Ternopil një godinë banimi është shkatërruar nga një sulm gjatë natës, duke shkaktuar të paktën 9 viktima.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmet tregojnë se presioni ndërkombëtar ndaj Rusisë mbetet i pamjaftueshëm dhe u bëri thirrje aleatëve për më shumë mbështetje ushtarake, veçanërisht sisteme mbrojtëse ajrore dhe dronë. (A2 Televizion)
