Dronët vërshojnë mbi Moskë, shpërthim në rafinerinë e naftës, goditen edhe pallate

Nga Rosalba Bejdo
18 Qershor 2026, 15:16 | Bota

Dhjetëra dronë ukrainas u lëshuan drejt Moskës të enjten, në një prej sulmeve më të mëdha ndaj kryeqytetit rus, duke goditur rafinerinë e naftës për herë të dytë këtë javë.

Kievi e quajti këtë një demonstrim të aftësive të tij në rritje për ta detyruar Rusinë të pranojë një marrëveshje paqeje. Një video e postuar në rrjetet sociale tregoi momentin e shpërthimit në rafinerinë që furnizon kryeqytetin me naftë, në distriktin e populluar të Kapotnias, shkruan A2 CNN.

Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobianin, tha se ishin rrëzuar 555 dronë, 180 prej tyre në hapësirën ajrore të kryeqytetit, por se disa kishin arritur të godisnin objektivat e tyre.

Përveç rafinerisë, dëme u raportuan edhe në një qendër tregtare, në një pallat shumëkatësh në periferi të Moskës dhe në disa shtëpi private.

Nga ana e saj, Rusia lëshoi raketa mbi Kievin, pas një sulmi që dëmtoi manastirin e famshëm 1 000-vjeçar të qytetit dhe shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare.

Shpërthime u dëgjuan në kryeqytetin ukrainas, ndërsa sirenat e alarmit ranë pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Autoritetet në Kiev thanë se armiku kishte sulmuar me raketa balistike.

Ndërkohë, në rajonin e Sumit, një person u vra si pasojë e një sulmi me dron. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos