Droni sulmon anijen e Greta Thunberg? Shpërthim në flotën me ndihma për Gazën, Tunizia mohon

Nga Rosalba Bejdo
9 Shtator 2025, 15:02 | Bota

Droni sulmon anijen e Greta Thunberg? Shpërthim në flotën me

Një flotë anijesh me ndihma humanitare për Gazën, ku gjendet gjithashtu aktivistja Greta Thunberg, pretendon se një prej mjeteve lundruese ishte goditur nga një dron në ujërat tunizianë.

Global Sumud Flotilla për Gazën, e cila përbëhet nga 20 anije me aktivistë propalestinezë prej 44 shtetesh po përpiqet të thyejë bllokadën detare të izraelit në enklavën e copëtuar. Anija e shënjestruar mbante flamurin portugez dhe siç raportohet nga organizatorët pësoi dëme pas zjarrit që përfshiu pjesën e përparme dhe po ashtu depon në katin e poshtëm, shkruan A2.  

Asnjë prej personave në bord nuk u lëndua gjatë incidentit. Flota e anijeve mbërriti në Tunizi gjatë fundjavës dhe u ankorua 80 km larg portit të Sidi Bou Said ku edhe ndodhi sulmi.

Dëshmitarët raportuan të kishin dëgjuar një shpërthim: “Fatkeqësisht, duhet t'i tregojmë botës se edhe një herë misioni ynë jo i dhunshëm humanitar dhe solidar për Gazën është sulmuar. Ekipi që ishte në anije vuri re një dron që po afrohej. Ky dron fluturoi mbi anije, ju afrua pjesës së përparme, në harkun e saj dhe hodhi një pajisje shpërthyese që i vuri flakën mjetit lundrues”. 

Por, autoritetet tuniziane mohuan pretendimet se mjetet lundruese ishin sulmuar nga dronë, duke thënë se shpërthimi kishte ardhur nga brenda anijes. Sipas Gardës Kombëtare një hetim është duke u zhvilluar aktualisht, por asnjë dron nuk ishte evidentuar. Autoritetet sugjerojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një cigare.

Pas sulmit të pretenduar, dhjetëra njerëz u mblodhën pranë portit, duke valëvitur flamujt palestinezë e duke thirrur “Palestina e Lirë”. Flota që transporton ushqime, ujë e medikamente u nis nga Barcelona më 31 gusht, dhe sipas aktivistëve përfaqëson misionin më të madh humanitar detar, që prej nisjes së luftës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos