“Duhet ta kemi Groenlandën!” Trump publikon mesazhin e Macron dhe e kërcënon me tarifa 200%

Nga Rosalba Bejdo
20 Janar 2026, 11:00 | Bota

Me gjithë rezistencën e aleatëve europianë në NATO, Presidenti amerikan Donald Trump nuk lëkundet nga qëllimi për të aneksuar Groenlandën. Në prag të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Davosit, në Zvicër, të mërkurën, kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti se Shtetet e Bashkuara duhet ta kenë ishullin në Arktik, pasi të tjerët nuk mund ta mbrojnë.

Ai u shpreh i bindur se europianët nuk do të bënin rezistencë për shumë gjatë, ndërsa rikonfirmoi vullnetin për të vendosur tarifa prej 10 për qind ndaj tetë shteteve që kundërshtojnë marrjen e Groenlandës, shkruan A2 CNN.

“Epo, nuk mendoj se do të kundërshtojnë edhe shumë. Dëgjo, duhet ta kemi Groenlandën. Ata nuk mund ta mbrojnë dot. Danimarka është një popull i mrekullueshëm. Dhe i njoh udhëheqësit, janë njerëz shumë të mirë, por as nuk shkojnë atje. Dhe, e dini, për shkak se një anije shkoi atje 500 vjet më parë dhe pastaj u largua, kjo nuk të jep të drejtën e pronësisë. Kemi pasur sukses të jashtëzakonshëm dhe unë kam bërë më shumë për NATO-n sesa kushdo tjetër. Nuk mendoj se do ta kishim NATO-n tani. Do ta shohim se si do të shkojë. Por Groenlanda është shumë e rëndësishme”, tha Trump.

Më herët, në një postim në rrjetet sociale, Trump publikoi një mesazh që, sipas tij, ia kishte dërguar presidenti francez Emmanuel Macron, ku e ftonte për një takim në Paris pas samitit të kësaj jave në Zvicër. “Nuk e kuptoj se çfarë po bën me Groenlandën”, i shkruan kreu i Elizesë në mesazhin privat, por që Trump nuk ka hezituar ta publikojë. Më pas, ai i propozon “gjëra të mëdha” dhe të bisedojnë gjatë një samiti të G7-ës që do të organizohej në kryeqytetin francez.

Më herët, teksa komentonte vendimin e Macron për të mos marrë pjesë në Bordin e Paqes për rindërtimin e Gazës, Trump ishte shprehur se askush nuk e do atë, pasi shumë shpejt do të lërë detyrën. Ai kërcënoi të vendosë një tarifë prej 200 për qind ndaj verërave dhe shampanjave franceze, për të shtyrë Macron t’i bashkohej bordit.

Trump publikoi gjithashtu edhe një mesazh të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, i cili thotë se është i përkushtuar të gjejë një mënyrë përpara për Groenlandën. Mesazhin e përforcoi edhe me një imazh të gjeneruar me inteligjencë artificiale, që e shfaq atë duke vendosur flamurin amerikan në Groenlandë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos