Dy drejtuesit më të lartë të BBC japin dorëheqjen pas polemikës për dokumentarin mbi Trump

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2025, 19:29 | Bota

Dy drejtuesit më të lartë të BBC japin dorëheqjen pas

Dy nga figurat më të larta të BBC-së, Drejtori i Përgjithshëm Tim Davie dhe Drejtoresha Ekzekutive e Lajmeve Deborah Turness, kanë dhënë dorëheqjen pas kritikave të ashpra që u ngritën ndaj një dokumentari të emisionit Panorama, i cili akuzohet se ka mashtruar shikuesit përmes një redaktimi të diskutueshëm të një fjalimi të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Dorëheqjet vijnë pas ditësh me tension dhe debate publike mbi standardet editoriale të BBC-së dhe ndikimin e mundshëm të montazhit në perceptimin e publikut për përmbajtjen politike të dokumentarit.

Në një deklaratë për mediat, Tim Davie konfirmoi largimin e tij pas 20 vitesh në BBC, duke theksuar se vendimi ishte plotësisht personal, por se polemikat e fundit kishin ndikuar në reflektimin e tij.

“Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të largohem nga BBC pas 20 vitesh. Ky është plotësisht një vendim i imi, dhe mbetem shumë mirënjohës ndaj Kryetarit dhe Bordit për mbështetjen e tyre të palëkundur dhe unanim gjatë gjithë mandatit tim, përfshirë edhe gjatë ditëve të fundit. Në këto kohë gjithnjë e më të polarizuara, BBC-ja ka një vlerë unike dhe flet për më të mirën që ekziston tek ne. Si çdo organizatë publike, nuk jemi të përsosur dhe duhet të jemi gjithmonë të hapur, transparentë dhe të përgjegjshëm. Në përgjithësi BBC po funksionon mirë, por janë bërë disa gabime dhe si Drejtor i Përgjithshëm unë duhet të mbaj përgjegjësinë përfundimtare”, tha Davie.

Ai shtoi se do të punojë me Bordin për një kalim të rregullt të detyrës te pasardhësi në muajt e ardhshëm.

Kryetari i BBC-së, Samir Shah, e quajti dorëheqjen e Davie “një ditë të trishtë për BBC-në”, duke shprehur mirënjohjen për shërbimin e gjatë të tij dhe të Deborah Turness.

“I gjithë bordi respekton vendimin dhe arsyet e tij. Tim Davie ka qenë një udhëheqës i përkushtuar dhe frymëzues që ka arritur shumë gjatë mandatit të tij”, deklaroi Shah.

Dokumentari që ndezi polemikat trajtonte zhvillimet e fundit në fushatën elektorale të Presidentit Trump. Kritikët e akuzuan BBC-në se kishte redaktuar në mënyrë të tillë një pjesë të fjalimit të tij, duke ndryshuar kuptimin origjinal.

BBC ka pranuar se janë bërë “disa gabime redaktimi” dhe ka nisur një rishikim të brendshëm të procedurave editoriale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos