
Presidenti Donald Trump ka premtuar një çek prej 2000 dollarësh për çdo qytetar amerikan, duke thënë se këto para do të shpërndahen nga të ardhurat e mëdha të mbledhura përmes tarifave tregtare të vendosura gjatë mandatit të tij. Lajmin e dha të dielën në mëngjes përmes një postimi në rrjetin e tij “Truth Social”, ku kritikoi ata që kundërshtuan politikat e tij doganore, duke i quajtur “budallenj”.
Trump deklaroi se dividenti prej të paktën 2000 dollarësh do t’u jepet të gjithë amerikanëve, me përjashtim të personave me të ardhura të larta, por pa specifikuar se cili do të jetë pragu i përjashtimit, shkruan A2 CNN. Sipas tij, SHBA është “vend i respektuar në botë”, me “inflacion gati zero” dhe me tregun e aksioneve në nivele rekord.
Presidenti pretendon se vendi ka mbledhur “triliona dollarë” nga tarifat, ndërkohë që këto të ardhura do të përdoren edhe për uljen e borxhit kombëtar, i cili aktualisht kap vlerën e 37 trilionë dollarëve. Sidoqoftë, ky premtim vjen në një moment kur Gjykata e Lartë po shqyrton ligjshmërinë e përdorimit të kompetencave emergjente nga ana e Trump për vendosjen e tarifave ndaj pothuajse të gjitha vendeve të botës, përfshirë aleatët.
Sipas Komitetit për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm, SHBA ka mbledhur rreth 151 miliardë dollarë nga tarifat vetëm mes muajve prill dhe tetor. Ndërkaq, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, parashikon që të ardhurat vjetore nga tarifat të arrijnë të paktën 500 miliardë dollarë.
Por, nëse Gjykata e Lartë vendos se tarifat janë vendosur në mënyrë të paligjshme, e ardhmja e këtyre fondeve mbetet e paqartë, ashtu si edhe zotimi i presidentit për çekun e përbashkët prej 2000 dollarësh.
Tarifat kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, sidomos nga Kanadaja, Meksika, BE dhe Kina. Muajin e kaluar, Trump rriti me 10% tarifat ndaj Kanadasë, pas transmetimit të një reklame nga Ontario ku përdorej një fjalim i Ronald Reagan që kritikonte tarifat, diçka që presidenti e quajti “veprim armiqësor”.
Aktualisht, mallrat kanadeze që nuk përjashtohen nga Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA) tarifohen me 35%, ndërsa çeliku dhe alumini shkojnë deri në 50%.
Ndërkohë, pas një takimi të tensionuar me presidentin kinez Xi Jinping në fund të tetorit, Trump njoftoi uljen me 10% të tarifave ndaj importeve kineze, duke thënë se Beijing-u do të ndërmarrë hapa për të ndalur fluksin e opioideve sintetike drejt SHBA-së. (A2 Televizion)
