
Toka është tronditur sërish në Napoli dhe në zonën vullkanike të Campi Flegrei, ku prej orëve të para të mëngjesit janë regjistruar mbi 20 lëkundje.
Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë së Italisë, tërmeti më i fortë është regjistruar në orën 06:11, me magnitudë 2.2 dhe një thellësi prej vetëm 2 kilometrash. Tgcom raporton se lëkundja është ndjerë qartë në disa lagje të Napolit, duke shkaktuar frikë te banorët që kanë dalë për pak minuta jashtë banesave.
Deri më tani nuk raportohen dëme në persona apo materiale, por autoritetet janë në gatishmëri dhe po monitorojnë nga afër aktivitetin sizmik, shkruan A2 CNN.
Zona e Campi Flegrei, një nga fushat vullkanike më të rrezikshme në Evropë, prej muajsh po përjeton një rritje të ndjeshme të mikrotërmeteve dhe deformimeve të tokës, që sipas ekspertëve tregojnë për lëvizje të gazrave dhe presionit në thellësi.
Banorët dhe strukturat emergjente janë në alarm të përhershëm, ndërsa studiuesit paralajmërojnë se fenomeni i “bradisizmit”, i cili ngre dhe ul tokën periodikisht, mund të vazhdojë për javë të tëra. (A2 Televizion)
