Dy avionë luftarakë F-35 të NATO-s u ngritën për të ndërhyrë ndaj një avioni spiun rus pranë bregdetit të Norvegjisë, në një tjetër provokim nga Vladimir Putin. Avioni rus IL-20 COOT-A fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe ka kapacitete të veçanta për inteligjencë elektronike dhe komunikimi.
Komanda Ajrore e NATO-s konfirmoi ndërhyrjen dhe publikoi një imazh të avionit rus. Moska nuk ka komentuar rastin e fundit, por më parë Kremlini ka mohuar ankesat e NATO-s, duke pretenduar se avionët rusë operojnë ligjërisht në hapësirën ndërkombëtare. Sipas qeverisë norvegjeze, Rusia ka shkelur hapësirën e saj ajrore edhe në tre raste të tjera këtë vit, shkruan A2 CNN.
Ky incident vjen pas një rritjeje të provokimeve ruse në Evropë. Disa liderë dhe ekspertë sigurie kanë kërkuar një qëndrim më të fortë të NATO-s. Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, tha se ishte koha për të kaluar nga “ruajtja ajrore” në “mbrojtje të plotë ajrore”. Një komandant i NATO-s sugjeroi se organizata mund të lehtësojë mundësinë për të shkatërruar avionët rusë në të ardhmen, megjithëse një zyrtar i Kremlinit paralajmëroi se kjo mund të çonte në luftë. (A2 Televizion)