7 tetori shënon një prej datave më të errëta të historisë për Izraelin. Mijëra familje përkujtojnë të dashurit e tyre që u vranë mizorisht nga Hamasi në sulmin e dy viteve më parë, që ndryshoi rrënjësisht Lindjen e Mesme.
Izraeli mbajti ceremoni përkujtimore në Kfar Aza pranë Rripit të Gazës dhe në vendin e Festivalit të Muzikës Nova në Reim, për të përkujtuar 1200 personat që humbën jetën dhe 251 të tjerët që u morën peng nga militantët e Hamasit më 7 tetor 2023. Ceremonia u zhvillua në orën 6:29 të mëngjesit, orën kur Hamasi lëshoi raketa në Izrael në fillim të 7 tetorit.
Familjarët mes trishtimit dhe lotëve mbajtën një minutë heshtje. Në Gaza kanë mbetur 48 pengje, 20 prej të cilëve janë gjallë. Për lirimin e tyre po bëhen përpjekje të mëdha në Egjipt, ndërsa Hamasi, Izraeli dhe fuqitë e mëdha diskutojnë për një marrëveshje në kornizën me 20 pika të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, shkruan A2 CNN.
Raundi i parë i bisedimeve midis Hamasit dhe ndërmjetësve përfundoi në Egjipt “me një notë pozitive”, raportuan mediat egjiptiane. Sipas Al-Qahera Neës, bisedimet do të vazhdojnë gjatë të martës në qytetin turistik Sharm el-Sheikh, ku gjendet edhe një delegacion nga shteti hebre. Pas dyerve të mbyllura dhe nën mbikëqyrje të rreptë, negociatorët komunikuan nëpërmjet ndërmjetësve që lëviznin midis dyja palëve, raporton A2 CNN.
Sipas Al-Qahera News, delegacionet diskutuan parakushtet për lirimin e pengjeve dhe të ndaluarve. Klima pozitive është konfirmuar edhe nga vetë presidenti Trump.
“Kemi vërtetë një mundësi të mirë për të arritur një marrëveshje, e cila do të jetë e qëndrueshme”, konfirmoi kreu i Shtëpisë së Bardhë. (A2 Televizion)