Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u pyet nga gazetarët në Zyrën Ovale në lidhje me deportimin e aktivistes Greta Thunberg dhe të tjerëve pro-palestinezë që u përpoqën të thyenin bllokadën detare të Gazës nga Izraeli.
"Ajo është thjesht një shkaktare problemesh", tha Trump, duke iu referuar aktivistes suedeze.
"Do të më thuash që ajo nuk shqetësohet më për mjedisin, tani shqetësohet për këtë? Ajo ka një problem me menaxhimin e nervave, mendoj se duhet ta vizitojë një mjek. Është shumë e zemëruar, është shumë e çmendur", vazhdoi Trump.
Thunberg mbërriti në aeroportin e Athinës të hënën pasi u deportua nga Izraeli së bashku me një grup prej 135 anëtarësh të Flotiljes Globale Sumud, të cilët u arrestuan ndërsa lundronin drejt Rripit të Gazës me ndihma humanitare.
Me mbërritjen e saj në Greqi, Thunberg i tha shtypit se "Izraeli po përpiqet të zhdukë një popullsi të tërë", duke iu referuar banorëve të Gazës dhe palestinezëve.
"Mund të flas për një kohë të gjatë për keqtrajtimin dhe abuzimin që pësuam gjatë burgosjes sonë, por kjo nuk është historia", vuri në dukje ajo. (A2 Televizion)