Sot shënohen dy vjet që kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1,200 izraelitë dhe duke marrë peng më shumë se 250 persona, por asnjë përkujtim zyrtar nuk do të zhvillohet deri javën tjetër.
Izraeli zakonisht i feston ditët kryesore përkujtimore sipas kalendarit hebraik. Prandaj, Dita zyrtare Kombëtare e Përkujtimit për 7 tetor është caktuar për 24 Tishrei sipas kalendarit hebraik, i cili këtë vit bie më 16 tetor. Ceremonia zyrtare shtetërore do të zhvillohet në atë datë në malin Herzl në Jerusalem. Familjet e viktimave do të vizitojnë vendin e sulmit dhe do të mbajnë një minutë heshtje, sipas AFP-së.
Hamasi dhe grupe të tjera militante ende mbajnë 48 pengje, 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.
Ndërsa sonte do të zhvillohet një koncert përkujtimor i shoqërisë civile, i organizuar për të dytin vit radhazi nga KUMU (hebraisht për "ngrihu"), një grup jofitimprurës i banorëve të Gazës dhe të mbijetuarve të 7 tetorit. Koncerti do të përfshijë performanca nga artistë izraelitë, do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetet kryesore televizive.
Ndërkohë ka përfunduar raundi i parë i negociatave në Egjipt, të cilat pritet të jenë vendimtare për arritjen e një armëpushimi në Gaza. Negociatat do të vijojnë sërish sot për të finalizuar një marrëveshje bazuar në planin e armëpushimit të Presidentit Donald Trump. Bisedimet pritet të zgjasin disa ditë në prani të ndërmjetësve nga SHBA-ja, Katari, Egjipti dhe Turqia, tha një zyrtar për CNN. Donald Trump e përshkroi qëndrimin e Benjamin Netanyahut ndaj marrëveshjes së Gazës si "shumë pozitiv". Presidenti amerikan shtoi më pas se Hamasi po bënte lëshime të rëndësishme gjatë negociatave, duke rënë dakord për pika "shumë të rëndësishme".
Lufta që pasoi e Izraelit kundër Hamasit ka vrarë mbi 67,000 palestinezë në Gaza dhe ka shtyrë pjesë të enklavës drejt urisë. Një hetim i pavarur i OKB-së arriti në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid kundër palestinezëve në Gaza, gjë të cilën Izraeli e ka mohuar. (A2 Televizion)