Çdo të premte, në ishullin e vogël të Paqësorit, Ebeye, Korab Lanwe bën vizitat e tij. Njerëzit që ai viziton kanë këmbë shumë të enjtura, me ngjyrë të çuditshme, plagë që nuk shërohen, ose u janë prerë gjymtyrë. Janë aq të sëmurë sa nuk mund të lënë shtëpitë e tyre të ndërtuara me dërrasa dhe fletë metalike. Lanwe i pyet nëse po marrin ilaçet dhe u mat tensionin. Shpesh, rezultatet janë të zymta.
Lanwe, i cili punon nga një zyrë me tavan të kalbur dhe dritare të mbuluara me dërrasa, është koordinatori për diabetin në Ebeye. Pacientët e tij të mbërthyer në shtëpi janë në fazat e avancuara të një sëmundjeje që prek të paktën një të tretën e 10,000 banorëve të Ebeye, një copë toke sa madhësia e 60 fushave të futbollit, vetëm 20 minuta me varkë, larg nga një baze amerikane që është kthyer në një pikë kyçe të përplasjes SHBA-Kinë në Paqësor dhe më tej.
Pavarësisht përpjekjeve të Lanwe-s, spitali i tij i thjeshtë nuk mund të bëjë shumë ndërsa gjymtyrët e pacientëve gangrenizohen dhe veshkat rreshtin se funksionuar. Nuk ka aparatura dialize për ta, as laboratorë protezash për të zëvendësuar këmbët që kirurgët shpesh detyrohen t’i presin. Shumë njerëz në Ebeye nuk jetojnë më gjatë se 50 vjeç.
“Në vitin 2017, bëmë një kontroll masiv... kishte një numër të madh njerëzish të diagnostikuar rishtazi me diabet, diabet të panjohur më parë, ose të pakontrolluar. Krahasuar me atëherë, sot kemi gjithnjë e më shumë raste të reja”, thotë Korab Lanwe.
Çdo mëngjes, jo larg zyrës së tij, banorët presin në portin e ishullit, nga ku një traget i Ushtrisë Amerikane i çon rreth 5.3 km më në jug në Kwajalein,një ishull dhjetëfish më i madh se Ebeye. Atje, banorët e Ebeye shërbejnë si punëtorë, ndërsa amerikanët monitorojnë lëshimet e raketave kineze dhe testojnë raketat e tyre.
Rreth 1,300 ushtarë dhe kontraktorë amerikanë në Kwajalein kanw shtëpi me ajër të kondicionuar, palma të larta, pishina publike, një klub golfi, një qendër bowlingu, një spital dhe një klinikë veterinare. Amerikanët e quajnë ishullin “Pothuajse Parajsë.”
Kontrasti mes jetës në Ebeye dhe Kwajalein nuk i ka shpëtuar Kalani Kaneko-s, një veteran i ushtrisë amerikane, bashkëshortja e të cilit është nga Ebeye dhe që tani është ministër i jashtëm i Ishujve Marshall, arkipelagut të gjerë në Paqësorin qendror që përfshin edhe Ebeye.
"Mendoj se jeta në Kwajalein ku gjendet baza amerikane është luksoze. Mendoj se është vendi më i sigurt për të rritur një familje. Nuk ke pse të shqetësohesh për krimin. Nuk ke përse të shqetësohesh për aksidentet me makinë. Pasi të gjithë duan të ngasin biçikletën. Kushtet e jetesës mes Ebeye dhe Këajalein? Janë si nata me ditën. Jam i turpëruar... si mund t’ua shpjegoj këtë fëmijëve dhe nipërve të mi?”, shprehet veterani Kaneko.
Ambasadorja amerikane në Ishujt Marshall, Laura Stone, tha se pavarësisht përpjekjeve kineze për të fituar ndikim, banorët e Marshallit e kuptojnë që ofertat e Pekinit janë të ekzagjeruara dhe se SHBA është një partner i mirë. Ajo shtoi se Amerika po punon për të adresuar shqetësimet shëndetësore dhe ekonomike në Ebeye.
Intervistat me mbi 40 banorë të Ebeye dhe tetë zyrtarë të Marshallit, si dhe një shqyrtim i dokumenteve ushtarake amerikane, tregojnë përmasat e një krize humanitare në një komunitet të krijuar nga SHBA në vitet 1950 dhe mbi punën e të cilit mbështetet për funksionimin e një baze që e quan “aset kombëtar jetik.”
SHBA e mori Kwajalein gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1951, ushtria amerikane zhvendosi banorët e saj në Ebeye, atëherë i banuar rrallë, për të zgjeruar bazën. Më pas, atje u vendosën edhe të shpërngulurit nga testimet me raketa bërthamore amerikane në pjesë të tjera të Ishujve Marshall, ndërsa punët në Kwajalein tërhoqën mijëra të tjerë.
Ishujt Marshall janë një nga tre shtetet e Paqësorit—bashkë me Palau dhe Mikronezinë—që më parë administroheshin nga SHBA. Të gjitha janë teknikisht të pavarura, por traktatet me SHBA i japin Amerikës kontroll mbi gjysmën veriore të Paqësorit, duke bllokuar ushtrinë kineze nga rajoni. Në këmbim, këto vende marrin ndihmë financiare dhe premtimin për mbrojtje nga SHBA.
Diabeti është vetëm një nga problemet e Ebeye. Peshku lokal, një burim i rëndësishëm ushqimi për banorët që përballen me dieta me pak vlera ushqyese, është i ndotur. Që nga viti 2008, një sërë raportesh të ushtrisë amerikane paralajmëruan për ndotje toksike që rrjedh nga baza në oqean. Një raport i vitit 2017 gjeti nivele të arsenikut dhe kimikateve të rënda në peshkun përreth Ebeye që përbënin rrezik “potencialisht të papranueshëm” për konsum.
Ushtria amerikane dërgoi një ekip shkencëtarësh për të testuar kontaminimet, por vetëm në Kwajalein. Qeveria ka kërkuar që ta bëjnë këtë edhe në zona të tjera në Ebeye. Ishulli përjeton gjithashtundërprerje të shpeshta të energjisë për shkak të një centrali të vjetërsuar. Dhe thuajse gjysma e familjeve lokale raportuan në regjistrimin e vitit 2021 se kishin kaluar ditë pa ngrënë për shkak të mungesës së parave.
Sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit, Ishujt Marshall kanë një nga shkallët më të larta të diabetit në botë, me 33 për qind te banoreve te prekur nga sëmundja. Një studimi vitit 2021 nga Universiteti i Arkansasit dhe zyrtarë shëndetësorë te ishujve Marshall fajëson për këtë varësinë nga ushqimet e përpunuara. Shumë nga këto ushqime u shpërndanë nga zyrtarë amerikanë pas 67 testeve bërthamore që Amerika zhvilloi në veri të Kwajalein mes viteve 1946 dhe 1958, duke shkaktuar frikë se ushqimi lokal ishte i ndotur.
Banorët e lidhin krizën me mungesën e tokës dhe të ardhurave të pakta. Me asnjë copë tokë për të mbjellë apo për të rritur bagëti, banorët varen nga importet e shtrenjta që mbërrijnë dy herë në muaj me anije nga SHBA. Punëtorët janë mirënjohës për punën në bazë. Por varfëria e thellë i ka bërë të varen nga orizi i lirë, mishi i ngrirë dhe konservat që përkeqësojnë epideminë e diabetit.
Sipas një analize të Reuters mbi 330 vdekjet në ishull midis 2020 dhe 2024, banorët po vdesin në moshën mesatare 52 vjeç. Ndërkohë, baza amerikane merr ushqim të freskët çdo javë me avion.
Shumica e banorëve te ishujve Marshall, nuk kanë akses në Kwajalein, që është zonë ushtarake e ndaluar, dhe pjesa më e madhe e punëtorëve nuk lejohen të përdorin dyqanin ushqimor të bazës. Atyre u lejohet të blejnë ushqime vetëm nga zona e ushqimit të shpejtë.
Matthew Cannon, komandanti i bazës së afërt amerikane tha se i vlerëson punëtorët, por se në dyqanin ushqimor të Kwajalein nuk ka furnizime të mjaftueshme për të përballuar edhe nevojat e tyre, përveç atyre të kontraktorëve amerikanë.
Që nga viti 2008, studime nga Qendra e Shëndetit Publik të Ushtrisë Amerikane kanë zbuluar se peshku përreth ishullit Kwajalein është ndotur nga aktivitetet e bazës ushtarake. Një studim i vitit 2017 zbuloi se edhe peshqit rreth Ebeye janë të ndotur me arsenik dhe substanca toksike të quajtura PCB (poliklorur bifenilë), që përdoren në pajisje elektrike – të njëjtat ndotës që janë gjetur rreth bazës. Megjithatë, studimi nuk e lidhi drejtpërdrejt bazën si burimin e ndotjes.
Zyrtarët e ishujve thonë se një pjesë e ndotjes mund të vijë edhe nga vendgrumbullimi i plehrave në ishull, një grumbull që ishte rritur në mënyrë të rrezikshme për shkak se ishulli nuk ka një djegës për mbeturina.
Në një raport të vitit 2014,shkencëtarët ushtarakë rekomanduan që ushtria të financojë një studim për ndikimin e ndotjes tek banorët e Ebeye. Por Moriana Phillip, rregullatorja mjedisore e Ishujve Marshall, thotë se ushtria e injoroi këtë rekomandim, si dhe kërkesat për analiza për të zbuluar shkakun e ndotjes në Ebeye.
Infrastruktura në Ebeye është përmirësuar që nga viti 2017, kur agjencia australiane për ndihmë dhe Banka Aziatike për Zhvillim, me mbështetjen e SHBA, ndërtuan një impiant për desalinizimin e ujit, duke bërë që banorët të mos kenë më nevojë të udhëtojnë drejt Kwajalein për ujë të pijshëm. Ata gjithashtu rregulluan sistemin e kanalizimeve, në mënyrë që mbetjet njerëzore të mos derdheshin më drejtpërdrejt në lagunë.
Amerika gjithashtu ka financuar një shkollë të re, si dhe banesa për disa familje që u larguan nga ishujt përreth në vitet 1960 për t’i bërë vend testimeve me raketa. SHBA thotë se baza e saj në Kwajalein është një “aset kombëtar jetik.” Ajo përmban një sistem vëzhgimi miliardë dollarësh që ushtria e përshkruan si “kompleksi më i sofistikuar në botë i radarëve, optikës, telemetrisë dhe sensorëve.” Ndër të tjera, ushtria e përdor këtë teknologji për testimin e raketave dhe interceptuesve, dhe për të ofruar vëzhgimin e parë të shumicës së lëshimeve raketore nga Euro-Azia duke e kthyer në një sistem paralajmërimi të hershëm të pazëvendësueshëm në rast të një sulmi raketor nga Kina apo Rusia.
Sipas dokumenteve të buxhetit të ushtrisë amerikane, plani është të shpenzohen të paktën 458 milionë dollarë për operacionet në Kwajalein vetëm gjatë vitit fiskal 2026. Në vitin 2024, me Kinën që po zgjeron operacionet e saj të ndikimit në gjithë Paqësorin, SHBA rinovoi traktatet me Ishujt Marshall, Palau dhe Mikronezinë për edhe 20 vite të tjera. Ndryshe nga ishuj të tjerë nën kontrollin e SHBA-së, ku Kina po tenton të hyjë, në Ebeye nuk ka ende asnjë prani kineze . Por kushtet mjeruese të jetesës mund të hapin një derë.
Ambasadorja amerikane Stone tha se banorët e Marshallit e kuptojnë që ofertat kineze janë “jashtë realitetit.” Megjithatë, SHBA është qartazi e shqetësuar për rritjen e ndikimit kinez. Vitin e kaluar, Kongresi miratoi një paketë financiare që përfshinte 2.3 miliardë dollarë ndihmë për Ishujt Marshall gjatë 20 viteve të ardhshme, nga të cilat 132 milionë janë caktuar për Ebeye. Kaneko, i cili, si shumë banorë të Marshallit, ruan një dashuri të thellë për Amerikën, e refuzoi ofertën kineze. Por ai paralajmëron: nëse problemet që përballojnë vende si Ebeye vazhdojnë, një administratë e ardhshme mund të jetë e tunduar të shikojë “çfarë ka në anën tjetër.” (A2 Televizion)