Vladimir Putin nuk do të ndalet me luftën në Ukrainë. Paralajmërimi vjen nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili gjatë qëndrimit në Franca u zotua të mbështesë Europën kundër Rusisë. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, e gjithë Europa kërcënohet nga Moska. Ai i bëri këto komente pasi së bashku me presidentin Emanuel Macron në Paris premtuan solidaritet lidhur me luftërat që gëlojnë në Europë dhe Lindjen e Mesme.
“Ne e dimë se nëse Putin do të ketë sukses në pushtimin e Ukrainës, ai nuk do të ndalet. Nuk do të ndalet në Ukrainë. E gjithë Europa është e kërcënuar dhe ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Shtetet e Bashkuara e mbështesin fort Ukrainën, mbështesin aleatët dhe Francën…Ne nuk do t’iu braktisim”, tha Biden.
Dy udhëheqësit publikuan gjithashtu një udhërrëfyes për Ukrainën, ku përfshihej përkushtimi për të mbështetur përpjekjet e Kievit përmes aseteve të ngrira të Rusisë.
“Ne kemi pikëpamje të njëjtë sa i përket luftës në Ukrainë. Kemi marrë shumë vendime të përbashkëta; si leja që i dhamë Kievit për të shënjestruar agresorët ne territorin e tyre dhe përpjekjet e rëndësishme të vendeve tona për të armatosur, trajnuar dhe pajisur ushtrinë ukrainase. Do takohemi sërish në samitin e G7 ku shpresojmë të dakordësohemi për një paketë 50 miliardë dollarëshe ndihmash”, tha Macron.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski pretendon se ushtria ruse ka dështuar në ofensivën e saj kundër qytetit të dytë më të madhe në vend, Harkiv, e nisur gati një muaj më parë. Ai tha se forcat ukrainase po e kufizojnë në maksimum përparimin e tyre. (A2 Televizion)