“E kishim lëvizur uraniumin e pasuruar”, Irani përpiqet të “zvogëlojë” dëmin nga sulmi amerikan

Nga A2 CNN
22 Qershor 2025, 15:44 | Bota

“E kishim lëvizur uraniumin e pasuruar”, Irani përpiqet

Zyrtarë të lartë iranianë kanë deklaruar se pjesa më e madhe e uraniumit shumë të pasuruar është larguar nga baza bërthamore në Fordow përpara se të ndodhnin sulmet ajrore të SHBA-së, shkruan a2 CNN. Sipas burimeve që folën për agjencinë Reuters, personeli në këtë objekt nëntokësor ishte reduktuar në minimum përpara bombardimeve.

Fordow ishte një nga tre objektet bërthamore iraniane që u goditën nga forcat amerikane të shtunën në mbrëmje, së bashku me Natanzin dhe Isfahanin. Lajmi vjen në një kohë kur tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm pas vendimit të SHBA për t'iu bashkuar fushatës ushtarake të Izraelit kundër Iranit.

Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami, i ka dërguar një letër Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), ku kërkon hetim të menjëhershëm për sulmet amerikane. Ai e quajti veprimin e SHBA-së si “të paligjshëm” dhe kritikoi shefin e IAEA-së, Rafael Grossi, për “mosveprim” përballë një agresioni të tillë. Sipas Eslamit, Irani ka ndërmarrë të gjitha masat për të mbrojtur të drejtat e tij sovrane dhe do të ndjekë rrugët ligjore për të kërkuar llogari.

Për më tepër, ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, dhe presidentes aktuale të Këshillit të Sigurimit, Carolyn Rodrigues-Birkett. Në të, ai kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit për të dënuar sulmet ajrore të SHBA-së si “të qëllimshme, të paramenduara dhe të paprovokuara”. Iravani akuzon SHBA-në dhe Izraelin për bashkëpunim në agresion dhe thekson se aktet e tilla kanë pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos