Po thuren plane me Putinin, Irani i ashpër me SHBA: Trump na tradhtoi, gati hakmarrja e fortë

Nga Xhevahir Qardaku
22 Qershor 2025, 14:19 | Bota

Irani e konsideron një tradhti, sulmin amerikan në 3 impiantet bërthamore. Ministri i jashtëm, Abaz Arakçi, në një konferencë për shtyp, theksoi se hakmarrja është e pashmangshme, raporton A2 CNN.

“Ndërsa Presidenti Trump u zgjodh me një platformë për t'i dhënë fund përfshirjes së kushtueshme të Amerikës në luftëra të përjetshme në pjesën tonë të botës, ai ka tradhtuar jo vetëm Iranin duke abuzuar me angazhimin tonë ndaj diplomacisë, por edhe ka mashtruar votuesit e tij duke iu nënshtruar dëshirave të një krimineli lufte të kërkuar, i cili është mësuar të shfrytëzojë jetën dhe pasurinë e qytetarëve amerikanë për të çuar më tej objektivin e regjimit izraelit”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Iranit tha më tej se nuk e di se sa “hapësirë ka mbetur për diplomaci” pasi Shtetet e Bashkuara goditën objektet bërthamore iraniane. “Ata kaluan një vijë të kuqe shumë të madhe duke sulmuar objektet bërthamore… Ne duhet të përgjigjemi bazuar në të drejtën tonë legjitime për vetëmbrojtje”, tha Araqchi.

Araqchi tha se Irani ka një “larmi opsionesh në dispozicion” kur u pyet nëse vendi i tij po shqyrton mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë ujore jetësore në Gjirin Persik që, nëse mbyllet, mund të ndikojë në eksportet globale të naftës dhe gazit. Diplomati më i lartë i Iranit tha se ka qenë në kontakt me disa ministra të jashtëm nga rajoni dhe “pothuajse të gjithë janë shumë të shqetësuar” dhe janë të interesuar të luajnë një rol në ndalimin e “agresionit izraelit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos