Pas paralajmërimit të Trump për bombardime të ashpra gjatë 2-3 javëve të ardhshme në Iran, nuk ka vonuar përgjigjja e Republikës Islamike. Një zëdhënës i ushtrisë iraniane u zotua për sulme shkatërruese dhe të gjera, ndërsa theksoi se SHBA dhe Izraeli kanë goditur objektiva të parëndësishëm për ta, deri më tani.
Në deklaratën e përcjellë nga agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare, thuhet se dy vendet kanë informacione të pasakta mbi kapacitetet dhe pajisjet ushtarake të Iranit. Teksa hedh poshtë pretendimet e Trump se arsenali iranian thuajse është shkatërruar, zëdhënësi tha se prodhimi i pajisjeve ushtarake të Teheranit zhvillohet në vende që SHBA dhe Izraeli nuk i dinë fare.
“Ata duhet të paguajnë për agresionin që nisën vetë. Nëse Zoti do, kjo luftë do të çojë në turpërim, pendesë dhe kapitullim”, shton më tej zëdhënësi.
Edhe ministria e Jashtme deklaroi më vonë se ishin të vendosur të vazhdojnë luftën kundër agresionit amerikano-izraelit, siç u shpreh. “Irani nuk do të mbështesë rrethin vicioz të luftës-negociatave-armëpushimit, që më pas të përsëritet e njëjta skemë. Kjo është katastrofike jo vetëm për Iranin, por për të gjithë rajonin dhe më gjerë”, ishin fjalët e ministrisë së Jashtme.
Një breshëri raketash shënjestruan shtetin hebre pas fjalimit të Trump, teksa Izraeli njoftoi se mbrojtja ajrore kishte reaguar ndaj valës së bombardimeve. Siç thuhet, 4 persona mbeten të plagosur në Tel Aviv, ndërsa mediat shfaqën pamjet e dëmeve të shkaktuara në një zonë të gjerë si pasojë e bombave thërrmuese.
Valë sulmesh raketore shënjestruan edhe Iranin, ku u raportuan dëme të mëdha në Institutin Pasteur, një prej qendrave më të rëndësishme dhe të vjetra të kërkimit mjekësor në Lindjen e Mesme.
(A2 Televizion)