Irani “nuk do të tolerojë ciklin vicioz të luftës, negociatave dhe armëpushimit”

Nga A2 CNN
2 Prill 2026, 10:23 | Bota

Irani “nuk do të tolerojë ciklin vicioz të luftës,

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit ka dhënë një deklaratë në përgjigje të fjalimit të Trump, në të cilin presidenti amerikan paralajmëroi se Irani duhet të pranojë një marrëveshje brenda dy deri në tre javësh ose do të përballet me sulme ndaj çdo centrali të tij energjetik, përcjell A2CNN.

“Ne nuk do të tolerojmë këtë cikël vicioz të luftës, negociatave, armëpushimit dhe më pas përsëritjen e të njëjtit model,” tha Esmail Baghaei, duke e përshkruar konfliktin në vazhdim si “katastrofik jo vetëm për Iranin, por për të gjithë rajonin dhe më gjerë.”

Baghaei tha se Irani do të vazhdojë të kundërpërgjigjet për aq kohë sa vazhdojnë sulmet SHBA-Izrael, dhe rikonfirmoi se Teherani nuk i konsideron fqinjët e tij në Gjirin Persik si armiq.

“Ne kemi thënë vazhdimisht se jemi të vendosur të vazhdojmë marrëdhëniet e mira fqinjësore me të gjithë ata. Problemi është se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po shfrytëzojnë territoret e tyre për të kryer agresionin e tyre ushtarak kundër Iranit,” tha ai.

“Kjo është një luftë e padrejtë që i është imponuar popullit iranian. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të kundërpërgjigjemi fuqishëm,” shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos