“Gjykatë e formuar vetëm për Thaçin”, a ishte procesi betejë për imazhin e tij publik?

Nga Leonora Kolukaj
18 Nëntor 2026, 19:32 | Aktualitet

Gjykata Speciale në Hagë shpalli dje aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë. Thaçi u dënua me 17 muaj burgim, ndërsa pas vendimit, ai e cilësoi procesin si politik.

Avokati Arbër Jashari vlerëson se aktgjykimi dënues ndaj Thaçit ka qenë i pritshëm, duke pasur parasysh qasjen e Gjykatës Speciale. Megjithatë, ai e konsideron problematike mos llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim.

“Sa i përket dënimit ndaj tij, ka qenë një dënim nën praktikën që e ka bërë Gjykata në  raste të tjera për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë. Për dallim nga të tjerët, Thaçit nuk i është llogaritur koha në paraburgim, ndonëse ky është një standard ligjor të cilin e aplikojnë të gjitha shtetet dhe e drejta penale ndërkombëtare e njeh si standard që kur shqiptohet aktgjykim dënues me dënim me burgim atëherë duhet të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim”.

Sipas tij, Gjykata Speciale është përqendruar te Thaçi, ndërsa procesi ka pasur edhe synim diskreditimin e figurës së tij publike.

“Në esencë duket se kjo Gjykatë është formuar vetëm për z. Thaçi [...] Mendoj se ky proces ka qenë më shumë për ta diskredituar publikisht, për t’ia rrënuar imazhin e z.Thaçi dhe për ta paraqitur si njeri që tenton të ndërhyjë në drejtësi dhe te dëshmitarët”.

Naim Jakaj nga IKD vlerëson se mbrojtja duhet ta kundërshtojë më thellësisht në Apel vlerësimin e provave dhe pretendimet për ndërhyrje në drejtësi.

“Do të duhej që mbrojtja në Apel të kundërshtojë edhe më thellësisht akuzat e Prokurorisë për ndërhyrje. Cila është ndërhyrja e z.Thaçi dhe të tjerëve në sistem të drejtësisë, pa çka që ai i morri sa vite burg në procesin e parë. Sikurse të ndërhynte, të provohej se ka ndërhyrë dhe të provohej se ka ndikuar në dëshmitar atëherë ai do të merrte një dënim më të vogël në procesin e parë”.

Ekspertët e vlerësojnë pozitivisht formimin e grupit punues për hartimin e strategjisë së mbrojtjes në Apel dhe dyfishimin e financave, por theksojnë se i rëndësishëm mbetet edhe lobimi diplomatik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos