Erdogan nga Tirana bën thirrje për bashkim: Historia ka treguar se kur Europa ka qenë e përçarë, ka qenë e dobët

Nga A2 CNN
16 Maj 2025, 14:09 | Bota

Erdogan nga Tirana bën thirrje për bashkim: Historia ka treguar se kur

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, është shprehur se Europa duhet të jetë e bashkuar përballë sfidave të sigurisë dhe atyre ekonomike.

Komentet Erdogan i bëri në mbledhjen e Komunitetit Politik Europian në Tiranë, ku tha se historia e luftërave në Europë ka treguar se nëse shtetet përçahen, atëherë janë më të dobët përballë agresorëve.

Ai kërkoi gjithashtu nga shtetet e Bashkimit Europian që praktika e vizave Shengen që kufizon lëvizjen e turqve dhe të mallrave turke, të rishikohet, shkruan A2 CNN.

“Doja të falenderoja mikun tim të dashur Edi Rama dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin e këtij Samiti. Jemi mbledhur bashkë të diskutojmë një vizion të ri që do të ripërcaktojë kontinentin tonë. Është e rëndësishme që të veprojmë të bashkuar. Për të tejkaluar krizën e besimit në arenën ndërkombëtare, është e nevojshme që të krijohet një arkitekturë e drejtë dhe gjithëpërfshirëse globale e qeverisjes.

Kjo duhet të nisë pikësëpari në shtëpinë tonë, në kontinentin europian. Ka një potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunim, në fusha si industria e mbrojtjes, energjia, korridoret e transportit, tregjet digjitale dhe lendët minerale kritike. Janë shumë fusha pra që ne mund të bashkëpunojmë. Në këto kohë kritike kur diskutojmë të ardhmen e sigurisë europiane, përpjekjet e BE-së për të zhvilluar industrinë e saj të mbrojtjes, janë vërtetë të dobishme.

Ne besojmë po kështu që këto përpjekje duhet të përfshijnë edhe aleatë që nuk janë anëtarë të BE-së, në mënyrë të tillë që të mos ndikojë apo të grryejë rolin thelbësor të NATO-s. Kjo mund të ishte në interes më të mirë të sigurisë europiane. Shumë luftëra e konflikte në Europë na kanë treguar se për mbrojtjen apo sigurinë, nëse përçahemi bëhemi më të dobët dhe nëse bashkohemi bëhemi më të fortë.

Turqia ka një madhësi ekonomike prej 1.3 trilionësh dollarë amerikanë, një popullsi dinamike prej 85 milionësh dhe një qasje të drejtpërdrejtë në tregje konsumi. Përgjithësimi i bashkimit doganor me BE-në do të kontribuajë për sigurinë e zinxhirëve të furnizimit. Praktikat e vizave si ajo e Shengenit, që kufizojnë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave tona, duhet të rishikohen. Me investimet tona në vitet e fundit në prodhimin e gazit, po e shndërrojmë vendin tonë si një vend me peshë të madhe energjitike”, tha mes të tjerash Erdogan, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos