Çështja Donald Trump. Shpallet fajtor kandidati për President në SHBA, çfarë ndodh tani?

Nga A2 CNN
31 Maj 2024, 10:25 | Bota

Ish-presidenti amerikan dhe kandidati presidencial për zgjedhjen e ardhshme, Donald Trump, u shpall fajtor për 34 akuza, në një gjyq historik në SHBA.

Tani, Trump ndodhet në një pozicion unik, është i pari ish-president amerikan i dënuar për një vepër penale. Ai rrezikon të shkojë në burg por me shumë gjasa ai do ta apelojë vendimin, çka do ta shtyjë përtej 11 korrikut dhënien e vendimit përfundimtar.

Kur do të shpallet dënimi?

Gjykatësi Juan Merchan ka caktuar datën 11 korrik, ora 10:00, për dhënien e dënimit. Ai mund të dënohet me shërbim prove deri në 4 vite burg për secilën prej akuzave. Maksimumi i dënimit që mund të marrë është 20 vite burg. Por derisa të jepet vendimi, ish-presidenti do të qëndrojë i lirë.

A mund ta apelojë vendimin?

Trump i ka apeluar vazhdimisht dënimet e gjykatave ndaj tij në përpjekje për të shtyrë zbatimin e vendimeve. Kështu do të bëjë edhe me këtë çështje.

A mund të zgjidhet Trump president?

Përgjigja e shkurtër është “po”. Profesori i së drejtës në Universitetin e Kalifornisë, Richard L. Hasen - një prej më të mirëve në këtë fushë në SHBA - ka thënë vazhdimisht se nuk ka asnjë pengesë në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara që të ndalojë të garojë. “Ligjërisht, asgjë nuk e ndryshon statusin e Trump-it si kandidat”, shkroi Hasen të enjten në blogun e tij “Kodi zgjedhor”. “Kushtetuta ka vetëm disa kushte bazike për kandidatët, të jenë të paktën 35 vjeç, të lindur në SHBA dhe të kenë jetuar të paktën 14 vite në vendin tonë”. Gjithashtu Hasen thotë se as shtetet e veçantë nuk mund ta heqin emrin e Trump nga fleta e votimit.

A do ta pengojë dënimi Trump-in që të votojë?

Edhe pse Trump është banor në Florida, një shtet që ka ligje shumë të forta për të penguar personat e dënuar për vepra penale që të votojnë, ai mund të përfitojë nga një sërë ligjesh të miratuara në Nju-Jork në vitin 2021 që lehtësonin kushtet e të dënuarve për të votuar. Megjithatë, e drejta e Trump-it për të votuar në Florida do të varet nëse do të dënohet me burg apo jo dhe nëse do ta ketë mbaruar burgun deri atëherë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos