Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un mbikëqyri simulimin e një sulmi parandalues kundër Koresë së Jugut, duke përdorur raketahedhëse të shumta, të afta për të lëshuar raketa balistike me koka bërthamore.
Njoftimi duket se i referohet raketave balistike që Koreja e Veriut lëshoi dje në Detin e Japonisë.
Sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve, manovra shërbeu për të demonstruar vendosmërinë e Phenianit për të nisur një sulm parandalues kundër fqinjit të tij jugor, në përgjigje të kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj sigurisë dhe sovranitetit të tij.
Disa ditë më parë, Koreja e Veriut ka dërguar qindra balona mbi fqinjin e saj, Korenë e Jugut që përmbanin sasi të mëdha mbetjesh dhe fletëpalosje me material propagandistike. Seuli e konsideroi këtë veprim, një akt të rrezikshëm.
Njësia ushtarake e armëve shpërthyese dhe ekipi i reagimit të luftës kimike dhe biologjike u vendosën në gatishmëri për të inspektuar dhe mbledhur objektet dhe u dha një alarm duke paralajmëruar banorët që të qëndronin larg dhe të raportonin çdo pamje tek autoritetet. (A2 Televizion)