Europa është tepër e dobët përballë një Rusie agresive. Burime konfidenciale për revistën e njohur britanike Financial Times, bëjnë me dije nga zëra brenda NATO-s, se shtetet e aleancës veri atlantike janë në gjendje të ofrojnë më pak se 5 për qind të kapaciteteve mbrojtëse ajrore.
Mbrojtja ajrore konsiderohet tepër e domosdoshme për të mbrojtur anëtarët e saj në Europën Qendrore dhe Lindore kundër një sulmi në shkallë të plotë.
"Mbrojtja ajrore është një nga boshllëqet më të mëdha që kemi", tha një diplomat i NATO-s, për Financial Times. "Ne nuk mund ta mohojmë atë".
Europa ka vetëm një pjesë të aftësive të mbrojtjes ajrore të nevojshme për të mbrojtur krahun e saj lindor, sipas llogaritjeve të brendshme të NATO-s, duke nxjerrë në pah shkallën e dobësive të kontinentit të vjetër. Ministrat e jashtëm të NATO-s janë mbledhur në Pragë për dy ditë bisedime që synojnë përgatitjen për një samit të liderëve të aleancës në Uashington në muajin korrik, ku forcimi i mbrojtjes evropiane do të jetë një temë qendrore.
Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg do t'u kërkojë aleatëve të zotohen një minimum prej 40 miliardë eurosh në vit për të financuar ndihmën ushtarake për Ukrainën.
"Ukraina vazhdon të luftojë me guxim, por sfidat me të cilat përballet janë më të mëdha dhe në rritje. Ukraina mund të mbizotërojë ende, por vetëm me mbështetje të vazhdueshme dhe të fuqishme nga aleatët e NATO-s. Kështu që në samitin e NATO-s në korrik ne planifikojmë të vendosim mbështetjen tonë në një bazë më të fortë duke përfshirë një rol të madh të NATO-s në koordinimin e asistencës dhe trajnimit të sigurisë, si dhe një angazhim financiar shumëvjeçar”, tha Jens Stoltenberg.
Disa liderë evropianë dhe zyrtarë ushtarakë kanë thënë se Rusia mund të ketë aftësinë për të sulmuar një shtet anëtar të NATO-s deri në fund të dekadës. Me pasigurinë për mbështetjen e ardhshme të SHBA-së për Ukrainën me kthimin e mundshëm të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ministrat e jashtëm janë më në dilemë se kurrë.
Sakaq, në horizont është duke u përgatitur një konferencë ndërkombëtare paqeje e cila do të organizohet nga Kina dhe ku do të mund të marrin pjesë, Rusia dhe Ukraina. (A2 Televizion)