“Europa të jetë gati për luftë”, Rusia sulmon rëndë Ukrainën, mbi 430 dronë dhe 18 raketa

Nga Xhevahir Qardaku
14 Nëntor 2025, 10:57 | Bota

Ukraina përjetoi një nga netët më të vështira të luftës. Qindra raketa të llojeve të ndryshme dhe dronë kamikazë janë lëshuar gjatë një sulmi masiv në orët e fundit. Në shënjestër përfunduan disa rajone të ndryshme, përfshirë kryeqytetin Kiev, shkruan A2 CNN. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se të paktën 4 persona janë vrarë gjatë sulmit në shkallë të gjerë. “Janë përdorur rreth 430 dronë dhe 18 raketa”, thekson ai, duke shtuar se trupat e Putinit kanë kryer një “sulm të mirëllogaritur dhe të projektuar për të shkaktuar sa më shumë dëme ndaj popullatës dhe infrastrukturës civile”.

“Vetëm në Kiev, dhjetëra ndërtesa banimi u dëmtuan” dhe “ambasada e Azerbajxhanit u godit nga copa të një rakete Iskander”. Kështu shkroi Presidenti ukrainas në një postim në X, duke akuzuar Rusinë për shënjestrim të qëllimshëm të civilëve.  Objektivi kryesor i sulmit ishte kryeqyteti Kiev, dhe sulmet goditën gjithashtu rajonet Kharkiv dhe Odessa"”, shtoi Zelenski, duke cituar raportet fillestare se  rusët përdorën një raketë Zircon këtë mëngjes kundër rajonit Sumy”.

Luftë ka pasur edhe në anën tjetër. Porti rus i Detit të Zi, Novorossiysk, u godit nga një sulm ukrainas gjatë natës. Zyrtarët thanë se shpërtheu zjarr në rafinerinë kryesore të naftës Sheskharis, si dhe një anije dhe blloqe apartamentesh u goditën. Guvernatori i Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, tha se tre anëtarë të ekuipazhit dhe një person tjetër u plagosën në sulmin që dëmtoi depon kryesore të naftës dhe një terminal kontejnerësh. Moska pretendon se në orët e fundit ka rrëzuar 216 dronë.

Përshkallëzimi i luftës vjen pasi Zelensky paralajmëroi Europën që të bëhet gati për një përballje të mundshme me ushtrinë e Putinit. “Rusia përgatitet për të nisur një luftë në Europë brenda 2030-ës. Duhet të mendojmë si t’i ndalojmë tani në Ukrainë”, thekson lideri i Kievit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos