Çfarë po ndodh me Nigerinë? Trump lëshon bomba për Krishtlindje: gjenocid ndaj të krishterëve

Nga Rosalba Bejdo
26 Dhjetor 2025, 23:27 | Bota

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme “të fuqishme dhe vdekjeprurëse” kundër grupeve që pretendohet se janë të lidhura me ISIS në Nigeri, siç deklaroi Presidenti amerikan Donald Trump.

Sulmet e paprecedenta të Ditës së Krishtlindjes erdhën pas javësh akuza nga Trump dhe republikanë të lartë për një të ashtuquajtur “gjenocid ndaj të krishterëve”, për të cilin ata thonë se është lejuar nga qeveria nigeriane, shkruan A2.

Këto sulme përfaqësojnë ndërhyrjen e parë të drejtpërdrejtë të njohur ushtarake të SHBA-së në këtë vend të trazuar dhe të përfshirë nga konflikte të shumta. As SHBA dhe as Nigeria nuk kanë dhënë informacione të sakta mbi identitetin e objektivave të goditura apo rezultatet e sulmeve.

Por, sipas ekspertëve, objektivat më të mundshme janë anëtarë të “Lakurawa”, një grup i armatosur i lidhur me një degë të ISIS, i cili është bërë i njohur vetëm së fundmi dhe profili i të cilit ende po studiohet nga studiuesit. Një nga qytetet që duket se është goditur është Jabo, në shtetin Sokoto në veriperëndim të Nigerisë, por nuk dihet për ekzistencën e celulave të lidhura me ISIS që operojnë në këtë zonë. Për më tepër, kur Trump dhe figura të tjera të djathta amerikane kanë folur për një “gjenocid ndaj të krishterëve” në Nigeri, ata zakonisht kanë përmendur një zonë krejt tjetër, në Nigerinë qendrore.

Ekspërtët thonë se nisja e sulmeve në Ditën e Krishtlindjes dhe në veriperëndim të Nigerisë – një zonë ku Kalifati i Sokotos, përgjegjës për përhapjen e Islamit në Nigeri dhe shumë i respektuar nga myslimanët nigerianë, ka një peshë të madhe historike – është thellësisht simbolike dhe përputhet me narrativën e administratës Trump për “shpëtimin” e të krishterëve nigerianë. 

Por, çfarë ndodhi dhe si u njoftuan sulmet? 

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të enjten, përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, se SHBA kishte ndërmarrë “sulme të shumta të precizionit të lartë” ndaj “pozicioneve të ISIS-it” në veriperëndim të Nigerisë: “Sonte, me urdhrin tim si Komandant i Përgjithshëm, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës kundër terroristëve të ndyrë të ISIS-it në veriperëndim të Nigerisë, të cilët kanë shënjestruar dhe vrarë në mënyrë barbare, kryesisht të krishterë të pafajshëm, në nivele që nuk janë parë prej shumë vitesh, madje as prej shekujsh”.

Trump nuk dha detaje mbi objektivat apo numrin e tyre, por shtoi se sulmet do të vazhdojnë nëse, sipas tij, masakrat ndaj të krishterëve nuk ndalen. Komanda Amerikane për Afrikën tha në një deklaratë se vlerësimet fillestare tregojnë se “shumë terroristë të ISIS-it janë vrarë në kampet e ISIS-it”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, falënderoi Nigerinë për bashkëpunimin, duke shkruar në platformën X se SHBA “është gjithmonë gati dhe ISIS e kuptoi këtë sonte, në Krishtlindje.

“Do të ketë edhe më shumë sulme…”, pohoi ai.

Në një tjetër postim, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes publikoi një video që duket se tregon momentin kur një bombë lëshohet nga një anije luftarake amerikane në një vendndodhje të paidentifikuar. Analisti i konflikteve Murtala Abdullahi nga iniciativa Goro, që monitoron aktivitetin ajror në Nigeri, tha se ka gjasa që raketat të jenë lëshuar nga Gjiri i Guinesë.

Ministria e Jashtme e Nigerisë konfirmoi sulmet të premten në mëngjes, duke deklaruar se ato kishin shënjestruar elementë të bazuar në veriperëndim të vendit. Autoritetet nigeriane kanë mohuar me forcë akuzat për një “gjenocid ndaj të krishterëve”, duke theksuar se sulmet janë kryer brenda një kuadri bashkëpunimi ndërkombëtar, që përfshin shkëmbim inteligjence dhe koordinim strategjik me SHBA-në dhe partnerë të tjerë, “në përputhje me ligjin ndërkombëtar, respektin për sovranitetin dhe angazhimet e përbashkëta për sigurinë rajonale dhe globale”.

Ministri i Jashtëm, Yusuf Tuggar, i tha Al Jazeera-s se bashkëpunimi ishte i ngushtë dhe se Sekretari amerikan i Shtetit e kishte telefonuar përpara nisjes së sulmeve. Megjithatë, ai theksoi se sfidat e sigurisë në Nigeri janë komplekse dhe se sulmet nuk kishin bazë fetare.

Por, çfarë dihet për objektivët e goditur? 

Të paktën një qytet, Jabo në shtetin Sokoto, u konfirmua se ishte goditur. Fotot e publikuara në rrjetet sociale nga banorët duket se e konfirmojnë vendndodhjen, duke treguar fragmente të një bombe dhe pamje të një zjarri të madh në një fermë.  

Sipas informacioneve të deritanishme, raportohet se nuk janë shënuar viktima, ndërsa mbetet e paqartë pse u zgjodh Jabo, pasi aty nuk dihet të ketë qeliza të lidhura me ISIS. Edhe banorët vendas kanë shprehur habi dhe dyshime pse qyteti i tyre u shënjestrua. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme nigeriane tha sulmet janë kryer mbi bazën e inteligjencës së dhënë nga vetë Nigeria dhe se fragmentet e bombave kanë rënë në Jabo, edhe pse objektivi ishte një zonë e saktë.

Në Nigeri veprojnë rreth gjashtë grupe të armatosura ideologjike, të lidhura me ISIS-in ose al-Kaedën. Ato kanë sulmuar si komunitete të krishtera ashtu edhe myslimane, kryesisht në veriperëndim dhe verilindje të vendit. Sulmet e fundit ka gjasa të kenë shënjestruar fraksionin Lakurawa, një grup i ri dhe ende pak i njohur. Pyetja që ngrihet është: përse po e shënjestron administrata Trump Nigerinë tani? Presidenti Trump këmbëngul se sulmet amerikane janë kryer për të mbrojtur komunitetet e krishtera në Nigeri. Senatori amerikan Ted Cruz ishte i pari që akuzoi qeverinë e Nigerisë se po lejonte një “masakër” ndaj të krishterëve, në tetor të vitit 2025, duke iu referuar rritjes së sulmeve ndaj këtij komuniteti në rajonin qendror të vendit, një zonë e ndryshme nga ajo ku po zhvillohet dhuna në veri.

Ai pretendoi, pa paraqitur prova, se që nga viti 2009 janë vrarë 50 mijë të krishterë. Në shtator, Cruz paraqiti në Kongres Ligjin për Lirinë Fetare dhe Përgjegjësinë e Nigerisë, i cili, nëse miratohet – do të parashikojë sanksione ndaj zyrtarëve nigerianë që konsiderohen bashkëfajtorë në vrasjet e të krishterëve.

Cruz përsërit narrativa që qarkullojnë prej vitesh brenda së djathtës politike të krishterë në SHBA, sipas së cilës në Nigeri po zhvillohet një gjenocid ndaj të krishterëve. Në nëntor, edhe Trump akuzoi Nigerinë për një “gjenocid ndaj të krishterëve”, duke iu referuar ISIS dhe duke i lidhur, në mënyrë të paqartë, dy çështje të ndryshme.

Ai e cilësoi Nigerinë si një “vend me shqetësim kombëtar”. Megjithatë, ndërsa Cruz dhe zëra të tjerë të ekstremit të djathtë amerikan e identifikojnë rajonin si epiqendrën e këtij të ashtuquajturi “gjenocid”, sulmet amerikane të së enjtes goditën një qytet në veriun kryesisht mysliman të Nigerisë. Jabo është një qytet me shumicë myslimane, ku vetë komunitetet myslimane kanë qenë objekt i bandave kriminale që i rrëmbejnë për shpërblim.

Çfarë po ndodh realisht në Nigeri?

Situata në Nigeri është shumë më komplekse sesa paraqitja që i bën administrata Trump, e cila duket se po ngatërron dy probleme të ndryshme. Nigeria është një vend i madh me rreth 200 milionë banorë dhe më shumë se 250 grupe etnike. Ajo përballet jo vetëm me dhunën e grupeve të armatosura ideologjike, por edhe me konflikte të thella etno-fetare. Rajoni pjellor i njohur si Middle Belt (brezi i mesëm), për të cilin foli Cruz, ka qenë prej kohësh vatër përplasjesh mes barinjve kryesisht myslimanë nga grupi etnik Fulani dhe komuniteteve të krishtera bujqësore nga grupe të ndryshme etnike minoritare, për shkak të konfliktit për tokën dhe burimet ujore.

Dhuna është përshkallëzuar ndjeshëm vitet e fundit, si në përmasa ashtu edhe në armatim, dhe ka goditur kryesisht komunitetet bujqësore të krishtera. Fermerët pretendojnë se grupet e barinjve sulmojnë fshatrat e tyre në bastisje vdekjeprurëse, duke përdorur armë të sofistikuara, djegin tërësisht vendbanime dhe masakrojnë civilë. Ata shënjeshtrojnë gjithashtu infrastrukturën jetike si shkolla, klinika, rezervat e drithit, kishat dhe puset e ujit.

Në maj, Amnesty International raportoi se që nga viti 2023 janë vrarë afro 10 mijë persona, përfshirë fëmijë, dhe se mbi 500 mijë njerëz janë zhvendosur. Qeveria e Nigerisë e ka cilësuar prej kohësh këtë situatë si një “krizë lokale mes fermerëve dhe barinjve”, por komunitetet e prekura e kundërshtojnë këtë përkufizim, duke thënë se ai e thjeshton tej mase problemin dhe çon në një përgjigje të pamjaftueshme.

Një lider komunitar në Benue i përshkroi vrasjet e fundit si një “pushtim gjenocidal në shkallë të plotë dhe një fushatë për grabitjen e tokave nga barinj terroristë dhe banda kriminale”.

Por, sa rol pati Nigeria në sulmet amerikane?

Ministria e Jashtme e Nigerisë deklaroi se sulmet janë kryer me pëlqimin e Nigerisë. Megjithatë, brenda vendit, Presidenti Bola Tinubu është përballur me kritika të ashpra nga opozita, e cila thotë se sulmet amerikane përbëjnë shkelje të sovranitetit të vendit. SHBA ka bashkëpunuar prej vitesh me Nigerinë dhe vende të tjera të Afrikës Perëndimore për të luftuar kërcënimin rajonal nga grupet e armatosura, kryesisht përmes trajnimeve dhe shitjes së armëve.

Megjithatë, kjo është hera e parë që SHBA kryen drejtpërdrejt sulme ajrore në Nigeri. Gjatë kulmit të krizës së Boko Haram-it, SHBA intensifikoi bashkëpunimin në trajnim dhe mbështeti Nigerinë me inteligjencë, mbikëqyrje dhe zbulim, veçanërisht përmes Forcës së Përbashkët Shumëkombëshe.

Kjo forcë përfshin Nigerinë, Nigerin, Çadin, Kamerunin dhe Beninin – vende që lidhen përmes Liqenit Çad dhe që janë të gjitha të prekura nga sulmet e grupeve të armatosura. Megjithatë, kjo forcë ka filluar të shpërbëhet. Qeveria ushtarake e Nigerit është përplasur me Nigerinë që nga qershori i vitit 2023, kur ushtria mori pushtetin. Nigeri është gjithashtu në konflikt me SHBA-në dhe partnerë të tjerë perëndimorë si Franca. Në gusht 2024, ushtria amerikane filloi të tërhiqej nga bazat e saj të rëndësishme në këtë vend, nga ku monitoronte aktivitetin e grupeve të armatosuranë rajonin e Sahelit.

Nigeri u tërhoq nga forca shumëkombëshe në prill, ndërsa Çadi ka kërcënuar të bëjë të njëjtën gjë. Analistët e Institutit për Studime të Sigurisë e lidhin shpërbërjen e koalicionit me rritjen e aktivitetit të grupeve të armatosura në të gjithë rajonin.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos