Fatahu dhe Hamasi krijojnë qeverinë e unitetit me bekimin e Kinës

Nga Erjon Dervishi
23 Korrik 2024, 11:18 | Bota

Tanket izraelite kanë mësyrë në Khan Yonis duket shkaktuar 70 viktima. Masakra në Gaza ndodhi pasi forcat izraelite urdhëruan evakuimin e disa zonave, ku besohet se strehohen një pjesë e drejtueseve të Hamasit. "Kjo është njësoj si dita e gjykimit", i tha Reuters një nga banorët.

"Njerëzit po ikin, shumë janë të vdekur dhe të plagosur në rrugë", theksoi banori palestinez. Ministria e shëndetësisë së Gazës tha se në mesin e të vdekurve ishin disa gra dhe fëmijë dhe se të paktën 200 persona të tjerë ishin plagosur. Nga ana e saj, ushtria izraelite tha në një deklaratë, se urdhrat e evakuimit të popullatës në Khan Younis lindore rezultuan nga informacionet e inteligjencës që tregonin se militantët po gjuanin raketa nga ato zona dhe Hamasi po përpiqej të rigrupohej.

Vijimin e presionit mbi Hamasin e ka konfirmuar edhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili premtoi kthimin e pengjeve.

"Ne jemi të vendosur t'i kthejmë të gjithë ata. Kushtet për t'i rikthyer ata padyshim po piqen, për arsyen e thjeshtë se ne po i bëjmë presion shumë, shumë të fortë Hamasit dhe po shohim një ndryshim të caktuar dhe mendoj se ky ndryshim do të rritet. Ky është një qëllim lufte”, tha Benjamin Netanuyahu, Kryeministër i Izraelit.

Sakaq, fraksionet palestineze, përfshirë rivalët e Hamas dhe Fatah, kanë rënë dakord t'i japin fund ndarjeve të tyre dhe të formojnë një qeveri të unitetit kombëtar. Kumbari i kësaj marrëveshje tepër të rëndësishme është bërë qeveria kineze. Deklarata e Pekinit u nënshkrua në ceremoninë e mbylljes së një dialogu pajtimi midis fraksioneve të mbajtur në kryeqytetin e Kinës nga 21-23 korrik. Zyrtari i lartë i Hamasit Hussam Badran tha se pika më e rëndësishme e Deklaratës së Pekinit ishte formimi i një qeverie të unitetit kombëtar palestinez për të menaxhuar çështjet e palestinezëve. Marrëveshja nxjerr në pah ndikimin në rritje të Kinës në rajonin e Lindjes së Mesme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos