Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në fjalimin para Kongresit tha se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka informuar se është gati për bisedime me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në vendin e tij dhe është ofruar për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e Ukrainës “në çdo kohë”. Trump tha se ka marrë një letër nga Zelensky, në të cilën udhëheqësi ukrainas ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.
"Mora një letër të rëndësishme nga presidenti Zelenskiy i Ukrainës. Letra thotë se “Ukraina është gati të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për të sjellë më afër paqen e qëndrueshme. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit, thotë Zelensky. Ekipi im dhe unë jemi të gatshëm të punojmë nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump, për të arritur paqen që të ruajë aq shumë vlerën e saj. Për sa i përket marrëveshjes për Mineralet dhe Sigurinë, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë atë në çdo kohë, e vlerësoj që ai e dërgoi këtë letër, në të njëjtën kohë, ne kemi pasur një bisedë serioze me Rusinë dhe kemi marrë sinjale të forta për paqen?”, deklaroi presidenti i SHBA-së.
Trump, tha se 2.000 njerëz vriten çdo javë në luftë - të rinj rusë dhe të rinj ukrainas. “Dua që kjo të ndalet”, tha Trump, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar “ndoshta 350 miliardë dollarë” në ndihma për Ukrainën, ndërsa Evropa ka shpenzuar vetëm 100 miliardë dollarë.
Bashkimi Evropian i ka kundërshtuar karakterizimet e tilla, duke thënë se vendet e tij anëtare, që nuk e përfshijnë Mbretërinë e Bashkuar, kanë ofruar rreth 145 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën. Trump nuk e përmendi grindjen e tij publike me Zelenskyn, javën e kaluar në Zyrën Ovale. “Ne po shkojmë shumë mirë me ta dhe shumë gjëra po ndodhin”, tha presidenti amerikan.
Trump mbajti fjalimin një ditë pasi njoftoi se ka pezulluar gjithë mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, e cila, prej tre vjetësh, lufton kundër forcave pushtuese ruse. (A2 Televizion)