Flakët 'pushtojnë' oazin e Hollivudit në Los Angeles, zjarri merr përmasa të frikshme

Nga A2 CNN
8 Janar 2025, 09:58 | Bota

Flakët 'pushtojnë' oazin e Hollivudit në Los Angeles,

Banesat e disa personazheve të famshëm janë prekur nga zjarri i Palisades, i cili shpërtheu në lagjen e pasur Pacific Palisades në malet Santa Monica.

Sipas mediave të huaja, aktori Eugene Levy, i njohur së fundmi për rolin e tij në "Schitt's Creek", tha për Los Angeles Times se ai u bllokua gjatë evakuimit. "Tymi dukej mjaft i zi dhe intensiv mbi Kanionin Temescal," tha ai. "Nuk mund të shihja asnjë flakë, por tymi ishte shumë i errët".

Aktori James Woods shpërndau video të zjarrit që përfshiu një shtëpi dy dyer më poshtë nga ai, duke thënë më vonë se ai ishte avakuar nga zona. "Unë nuk e di në këtë moment nëse shtëpia jonë është ende në këmbë, por mjerisht shtëpitë në rrugën tonë të vogël nuk janë," shkroi ai në ‘X’, duke shtuar se familja e tij kishte rinovuar një shtëpi pas pandemisë dhe sapo e kishte përfunduar muajin e kaluar.

Aktori Steve Guttenberg ndihmoi ekipet e zjarrfikësve duke u përpjekur të lëvizte disa makina të braktisura nga rruga, duke i thënë CNN se nuk kishte parë kurrë diçka të tillë në jetën e tij. Në kohën kur ai u evakuua gjatë pasdites atje, pemët e djegura po binin në bulevardin Sunset dhe ndërtesat ikonike po ashtu, si Pierson Playhouse, pjesë e Teatrit Palisades.

Trajneri i Golden State Warriors, Steve Kerr, tha se nëna e tij u detyrua të largohej nga Palisades dhe se shtëpia e familjes së anëtarit të ekipit Everett Dayton kishte humbur. "Gjithçka që po shoh dhe lexoj është thjesht e tmerrshme," tha ai në një konferencë shtypi të shpërndarë në ‘X’.

Trajneri i Los Angeles Lakers, JJ Redick tha se familja e tij, familja e gruas së tij së bashku me familjen e motrës së saj binjake janë evakuuar të gjithë nga zjarri i Palisades. "Unë thjesht dua të pranoj dhe të dërgoj mendime dhe lutje për të gjithë në Palisades tani," tha Redick para ndeshjes së Lakers kundër Mavericks në Dallas, raportoi Associated Press. "Ky është vendi ku jetoj."

Komuniteti bregdetar ka qenë prej kohësh i popullarizuar nga të famshëm, duke përfshirë Tom Hanks dhe Rita Wilson. Aty ndodhet gjithashtu edhe vila e famshme Getty, një muze që strehon një sërë relikesh nga Greqia dhe Roma, e cila tha të martën në mbrëmje se ishte e sigurt nga zjarri, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos