Fluks rekord emigrantësh drejt Spanjës, mbi 9 mijë mbërrijnë në Ishujt Kanarie brenda dy javësh

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2026, 18:19 | Bota

Fluks rekord emigrantësh drejt Spanjës, mbi 9 mijë

Ishujt Kanarie po përballen me një fluks të paprecedentë emigrantësh, duke detyruar autoritetet spanjolle të shpallin gjendje të jashtëzakonshme për shkak të numrit të lartë të mbërritjeve. Që nga fillimi i nëntorit, më shumë se 9 mijë persona kanë mbërritur në këtë territor spanjoll në Oqeanin Atlantik.

Vetëm gjatë së shtunës, Shërbimi i Shpëtimit Detar të Spanjës shpëtoi 1,488 emigrantë që ndodheshin në 14 varka të vogla, të njohura si piroge. Shumica e tyre mbërritën në ishullin El Hierro, pasi kishin udhëtuar nga brigjet e Afrikës Perëndimore.

Ky numër tejkalon rekordin e mëparshëm prej 1,461 personash të shpëtuar në një ditë, i regjistruar në nëntor të vitit 2020. Sipas raportimeve, mbërritjet e këtij viti kanë shënuar nivelin më të lartë të 32 viteve të fundit.

Ministri spanjoll i Politikave Territoriale, Angel Victor Torres, pritet të vizitojë El Hierro për të diskutuar situatën dhe masat që duhet të ndërmerren për përballimin e fluksit.

Emigrantët, të cilët vijnë kryesisht nga vende të Afrikës Perëndimore, veçanërisht Senegali, nisen drejt Evropës me varka të vogla peshkimi, duke përshkuar një nga rrugët më të rrezikshme detare të migracionit.

Sipas autoriteteve, në një prej varkave të mbërritura të shtunën ndodheshin rreth 240 persona, mes tyre 12 gra dhe 36 fëmijë.

Situata në Ishujt Kanarie ka rikthyer në vëmendje vështirësitë e Bashkimit Evropian për të menaxhuar migracionin e parregullt. Pavarësisht hyrjes në fuqi të Paktit të ri për Migracionin dhe Azilin më 12 qershor 2026, fluksi drejt Spanjës dhe territoreve të saj vijon të mbetet i lartë.

Sipas raportimeve, rregullat e reja nuk kanë arritur të ndalin mbërritjet nga Afrika Perëndimore, ndërsa vendet evropiane po përballen me presion në rritje për kontrollin e kufijve dhe menaxhimin e kërkesave për azil. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos