
Dënimi i komedianit Russell Brand ka rikthyer në vëmendje debatin mbi moshën e pëlqimit seksual në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria britanike ka konfirmuar se do të diskutojë mundësinë e ndryshimit të legjislacionit, duke shqyrtuar vendosjen e kufizimeve për marrëdhëniet seksuale mes të rriturve dhe adoleshentëve 16 dhe 17 vjeç.
Sekretari i Punës dhe Pensioneve, Pat McFadden, deklaroi për BBC-në se çështja është ngritur dhe do të diskutohet, pas zbulimeve të fundit që kanë vënë në qendër të vëmendjes abuzimin seksual dhe pabarazinë e pushtetit mes burrave të rritur dhe vajzave të mitura.
Aktualisht, në Mbretërinë e Bashkuar, mosha ligjore e pëlqimit seksual është 16 vjeç. Kjo do të thotë se marrëdhëniet seksuale me persona 16 dhe 17 vjeç janë përgjithësisht të ligjshme, pavarësisht diferencës në moshë, përveç rasteve kur zbatohen kufizime të veçanta ligjore.
Nisma për ndryshimin e ligjit është mbështetur edhe nga Mia Latter, një prej grave që ka denoncuar publikisht komedianin Russell Brand. Ajo ka treguar se ishte vetëm 16 vjeçe kur u njoh me Brand, i cili në atë kohë ishte 30 vjeç.
Latter kërkon që marrëdhëniet seksuale mes adoleshentëve 16 dhe 17 vjeç dhe personave të rritur, me një diferencë të konsiderueshme moshe, të konsiderohen vepër penale. Megjithatë, ajo thekson se ndryshimi nuk duhet të kriminalizojë marrëdhëniet mes adoleshentëve të së njëjtës grupmoshë. (A2 Televizion)