
Një defekt në sistemin e komunikimit të kontrollit të trafikut ajror ka shkaktuar kaos në aviacionin amerikan, duke detyruar autoritetet të pezullojnë për disa orë fluturimet në të gjithë vendin. Dyshimet paraprake përqendrohen te një ruter i instaluar gjatë punimeve të mirëmbajtjes nga kompania kontraktore L3Harris.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, pajisja dyshohet se ka mbingarkuar rrjetin duke gjeneruar më shumë se 1 mijë tentativa lidhjeje çdo katër deri në pesë sekonda. Kjo shkaktoi paqëndrueshmëri në komunikimet me avionët dhe në transmetimin e të dhënave të radarëve, duke vënë në vështirësi funksionimin e sistemit të kontrollit ajror.
Defekti preku 17 nga 22 qendrat e kontrollit të trafikut ajror në SHBA, duke sjellë ndërprerje dhe vonesa të shumta në transportin ajror. Për arsye sigurie, autoritetet vendosën pezullimin e fluturimeve për disa orë.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se ende nuk është përcaktuar nëse shkaku ishte një gabim gjatë instalimit, një gabim njerëzor apo një problem teknik i vetë pajisjes.
Ndërkohë, administratori i FAA-së, Bryan Bedford, paralajmëroi se incidente të ngjashme mund të përsëriten për sa kohë infrastruktura e komunikimit të kontrollit ajror mbetet e vjetëruar.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te gjendja problematike e teknologjisë së përdorur në aviacionin amerikan. FAA shpenzon rreth 1 miliard dollarë në vit për mirëmbajtjen e sistemit ekzistues, ndërsa Kongresi ka akorduar 12.5 miliardë dollarë për modernizimin e tij. (A2 Televizion)