Baza e pasurimit të uraniumit Fordow ndodhet rreth 32 kilometra në veri të qytetit të Qom, pushtw njw mali.
Ajo është ndërtuar në vitin 2009 dhe është një nga objektet më të fortifikuara të Iranit, me një thellësi deri në 300 metra nën tokë, duke e bërë të vështirë goditjen me sulme ajrore konvencionale.
Fordow është përdorur për pasurimin e uraniumit deri në 60%, një nivel që është shumë afër atij të nevojshëm për prodhimin e armëve bërthamore.
Izraeli e konsideron Fordow si një objekt kyç në përpjekjet e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore. Për shkak të fortifikimeve të tij, sulmet ajrore të zakonshme nuk janë të mjaftueshme për të shkatërruar objektin.
Në këtë kontekst, përdorimi i bombave të fuqishme, të njohura si "bunker-buster", është konsideruar si një mundësi për të goditur objektin në thellësi. Megjithatë, këto bomba janë në dispozicion kryesisht të Forcave Ajrore të SHBA-së dhe kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve për t'u përdorur, shkruan A2 CNN.
Irani ka ndërmarrë masa të forta për të mbrojtur Fordow. Në vitin 2022, autoritetet iraniane njoftuan se kishin parandaluar një përpjekje sabotimi të atribuar ndaj Izraelit, duke arrestuar disa persona të dyshuar. Gjithashtu, Irani ka vazhduar ndërtimin e strukturave të reja në kompleksin e Fordow, duke e bërë objektivin edhe më të vështirë për t'u goditur.
Tensionet rreth Fordow janë rritur, me spekulime se Izraeli mund të ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj objektit, me ose pa mbështetje të SHBA-së. (A2 Televizion)