Orë vendimtare për Trump, bombarduesit B-52 pranë Iranit

Nga A2 CNN
17 Qershor 2025, 21:39 | Bota

Orë vendimtare për Trump, bombarduesit B-52 pranë Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump ka mbledhur prej disa orësh këshillin e sigurisë kombëtare, në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa përgatitet të marrë një nga vendimet më të mëdha të presidencës së tij: nëse do të angazhojë forcat amerikane në luftën midis Izraelit dhe Iranit.

Para takimit me gjeneralët e tij, Trump ka bërë një deklaratë tronditëse në rrjetin e tij Truth Social, ku kërcënoi drejtpërdrejt liderin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, duke zbuluar se SHBA-të e dinë saktësisht vendndodhjen e tij dhe se është një “objektiv i lehtë”.

“E dimë saktësisht ku po fshihet ‘lideri suprem’. Është një objektiv i lehtë, por është i sigurt për momentin - nuk do ta eliminojmë, të paktën jo tani. Por nuk duam raketa të drejtuara ndaj civilëve apo ushtarëve amerikanë. Durimi ynë po soset”, shkroi Trump.

Orë vendimtare për Trump, bombarduesit B-52 pranë Iranit

Ndërkohë, janë publikuar imazhe që tregojnë katër bombardues amerikanë B-52 Stratofortress të stacionuar në bazën ajrore Diego Garcia në Oqeanin Indian - në distancë të arritshme për sulme ndaj Iranit. Këto avionë, që mund të mbajnë armë bërthamore ose bomba me precizion të lartë, mbërritën në bazë që në mesin e majit, sipas imazheve satelitore të siguruara nga Planet Labs.

Përveç bombarduesve B-52, në Diego Garcia ndodhen gjithashtu një avion transportues C-17 Globemaster III dhe gjashtë aeroplanë që besohet të jenë KC-135, të aftë për furnizim me karburant në ajër - një shenjë se SHBA-të po mbajnë në gatishmëri një kapacitet të konsiderueshëm ushtarak në rajon.

Trump është rikthyer në Uashington me nxitim, duke ndërprerë pjesëmarrjen në samitin e G7 në Kanada, gjë që ka rritur spekulimet për një përshkallëzim të luftës dhe përfshirje direkte të SHBA-së në konfliktin Izrael-Iran. Deri tani, ai nuk ka marrë vendim për të ndërmarrë sulme kundër Iranit, por ka ofruar mbështetje mbrojtëse për Izraelin gjatë fushatës pesëditore të bombardimeve.

 

Situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar dhe çdo vendim i ardhshëm nga Uashingtoni mund të ndryshojë rrjedhën e konfliktit në Lindjen e Mesme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos