Foshnja 7-muajshe palestineze vritet nga të shtënat e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor

Nga A2 CNN
6 Qershor 2026, 14:32 | Bota

Foshnja 7-muajshe palestineze vritet nga të shtënat e ushtrisë

Një foshnjë palestineze 7-muajshe ka humbur jetën, ndërsa prindërit e tij kanë mbetur të plagosur, pasi forcat izraelite hapën zjarr ndaj automjetit me të cilin po udhëtonin në qytetin e Hebronit, në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, Sam Fahd Abu Haikal u plagos rëndë gjatë incidentit dhe ndërroi jetë më vonë në spital. Prindërit e tij gjithashtu mbetën të plagosur nga të shtënat.

Gjyshja e foshnjës, Ferial Abu Haikal, deklaroi për mediat palestineze se familja u befasua kur ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj automjetit të tyre, i cili sipas saj ishte i ndaluar në momentin e ngjarjes.

“Nuk kishte asnjë rrezik apo justifikim për të qëlluar me armë”, tha ajo.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi se gjatë një operacioni ushtarak, trupat kishin perceptuar një automjet që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të tyre. Sipas ushtrisë, ushtarët reaguan me të shtëna të vetme ndaj automjetit, duke plagosur tre persona.

Autoritetet izraelite thanë se një hetim paraprak ka treguar se të plagosurit ishin civilë të papërfshirë dhe se rrethanat e incidentit janë ende nën shqyrtim.

Ngjarja vjen në një kohë kur tensionet dhe dhuna në Bregun Perëndimor janë përshkallëzuar ndjeshëm që prej nisjes së luftës në Gaza në tetor të vitit 2023.

Sipas të dhënave të Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, të cituara nga AFP, më shumë se 1,080 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor nga forcat izraelite dhe kolonët që nga fillimi i konfliktit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos