Pranë kufirit verior të Norvegjisë me Rusinë, përtej Rrethit Polar Arktik, bunkerë të fshehur në thellësinë e shkëmbinjve po rikthehen në funksion pas dekadash harrese. Të ndërtuara gjatë Luftës së Ftohtë, këto struktura sekrete po restaurohen nga autoritetet norvegjeze për t’u përballur me tensionet e reja ndërkombëtare dhe kërcënimin gjithnjë e më të afërt nga Rusia.
Dy prej bazave më të rëndësishme ushtarake që po rihapen janë stacioni ajror i Bardufoss dhe baza detare Olavsvern. Bardufoss, e ndërtuar në vitin 1938 dhe përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore, më vonë u kthye në një mbrojtje ajrore ndaj kërcënimeve sovjetike, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, baza detare Olavsvern, e futur thellë në një mal dhe e mbrojtur nga 275 metra shkëmb, ishte një pikë strategjike kundër Flotës së Veriut të Bashkimit Sovjetik. Sot, edhe Marina e SHBA-së po shqyrton përdorimin e saj për strehimin e nëndetëseve bërthamore.
Me rikthimin e këtyre bazave dhe modernizimin e tyre, Norvegjia po përgatitet për skenarë lufte që deri pak vite më parë dukeshin të paimagjinueshëm. (A2 Televizion)