Një familje në Tennessee, SHBA, ka mahnitur gjithë vendin duke arritur të shpëtojë shtëpinë e tyre nga përmbytjet katastrofike falë një dige të ndërtuar me dorë rreth pronës së tyre. Pamje e kapura nga ajri tregojnë shtëpinë e familjes Humphrey në Ridgely – rreth tre orë larg nga Nashville – tërësisht të paprekur, ndërkohë që zonat përreth ishin të mbuluara nga uji.
Ndërsa mbi 100 persona mbetën të bllokuar për shkak të reshjeve ekstreme, shtëpia e familjes qëndronte si një ishull i sigurt në mes të një katastrofe natyrore. Ende nuk dihet saktësisht kur dhe si u ndërtua diga, por ajo duket se ka bërë punën në mënyrë të përkryer. Banorë të zonës thonë se familja ka vite që punon për ta përmirësuar strukturën mbrojtëse.
Komentues të shumtë në rrjetet sociale i kanë lavdëruar për përgatitjen dhe vendosmërinë. “Ata janë të jashtëzakonshëm, e kanë bërë këtë edhe herë të tjera,” tha një komentues. Një tjetër shtoi: “Vëllezërit Tucker dhe Justin nuk bëjnë shaka kur vjen puna për të mbrojtur shtëpinë e nënës së tyre, Amy.”
Përmbytjet u shkaktuan nga reshjet e mëdha dhe nga mbipopullimi i lumenjve Mississippi dhe Obion. Rreth 120 familje u prekën nga përmbytjet, ndërkohë që u vendosën evakuime të detyrueshme. Në disa raste, banorët u shpëtuan me varka nga emergjencat civile.
Fatkeqësisht, të paktën 21 persona humbën jetën për shkak të motit ekstrem që goditi rajonin javën e kaluar, përfshirë edhe tornado dhe erëra të fuqishme në disa shtete si Kentucky, Mississippi dhe Tennessee. (A2 Televizion)