Çështja e emigracionit është gjithmonë në qendër të planeve të Donald Trump. “Sapo pata një bisedë të mrekullueshme me presidenten e re të Meksikës, Claudia Sheinbaum Pardo. Ajo u pajtua të ndalonte migrimin përmes Meksikës për në Shtetet e Bashkuara, duke mbyllur efektivisht kufirin tonë jugor”, shkruan presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, në Truth Social.
“Ky do të jetë një hap i rëndësishëm në ndalimin e pushtimit të paligjshëm të Shteteve të Bashkuara”, shpjegon ai. “Ne folëm gjithashtu për atë që mund të bëhet për të ndalur fluksin masiv të drogës në SHBA dhe, për më tepër, për konsumimin e këtyre drogave nga amerikanët. Ishte një bisedë shumë produktive”, shton Trump.
Presidenti i zgjedhur njofton një fushatë ndërgjegjësimi në Amerikë për të shpjeguar sa i rrezikshëm është përdorimi i Fentanilit.
Por presidentja e Meksikës paraqet një marrëveshje pak ndryshe nga ajo që reklamoi Trump. Ajo thekson se nuk ka plan për mbylljen e kufirit me Shtetet e Bashkuara, por ka premtuar që të adresojë fenomenin e migrimit duke respektuar të drejtat e njeriut.
“Ne ritheksojmë se qëndrimi i Meksikës nuk është të mbyllë kufijtë, por të ndërtojë një urë midis qeverive dhe popujve”, tha Sheinbaum.
Ndërkohë, qeveria federale e Kanadasë dhe kryeministrat e 10 provincave ranë dakord të punojnë në mënyrë të bashkuar dhe të koordinuar kundër një kërcënimi nga presidenti i sapozgjedhur i SHBA, Donald Trump për të vendosur tarifa mbi importet kanadeze.
Këtë e konfirmoi Ministrja e Financave Chrystia Freeland. Ndërkohë, Kina mban qëndrimin se tarifat amerikane për mallrat e saj nuk do ta zgjidhin problemin që ka SHBA. (A2 Televizion)