
Aeroplanët luftarakë gjermanë dhe rumunë u ngritën në ajër më 25 nëntor për të gjurmuar incidentin më të fundit në një seri inkursionesh të dronëve në hapësirën ajrore të Rumanisë, teksa Rusia vazhdon të sulmojë objektiva përtej lumit Danub, në Ukrainën fqinje.
Dy dronë hynë në hapësirën ajrore të shtetit anëtar të NATO-s dhe gjashtë u raportuan në Moldavi, ku një ra në çatinë e një ndërtese, por nuk shpërtheu. Këto vijnë pas incidentit të javës së kaluar kur një dron rus goditi një cisternë turke me gaz të lëngshëm natyror që ishte duke lundruar në pjesën ukrainase të lumit.
“Ne disi e shohim veten si pjesë të luftës”, tha për Shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë, Tudor Cernega, kryetar i fshatit Ceatalchioi. “Nëse do të shpërthente anija, i gjithë fshati do të zhdukej”.
Banorët e fshatit dhe vendbanimit të afërt Plauru, i cili gjithashtu bie nën administrimin e tij, u evakuuan përkohësisht pas shpërthimit dhe zjarrit që pasoi.
“Njerëzit nuk po vijnë më të vizitojnë të afërmit e tyre. Janë shumë të frikësuar. Ata e kanë kuptuar rrezikun: sikur një dron të kishte rënë mbi një shtëpi – Zoti na ruajt – do të kishte vrarë një ose dy persona”, tha Cernega.
Koha për evakuim?
Një banore tha se familja e saj po e shqyrton mundësinë që të zhvendoset përgjithmonë që aty nëse situata përkeqësohet.
“Nëse bombardimet përshkallëzohen, besoj se ne mund të largohemi”, tha Daniela Tanase, 48-vjeçare.
“Ka pasur bomba këtu, para shtëpisë sonë”.
Tanase tha se situata është më së keqi natën, duke përshkruar se sheh projektorë ukrainase që kontrollojnë qiellin për dronë gjatë natës kur lëshohen alarmet për sulme.
Një tjetër banor, mekaniku i pensionuar 73-vjeçar Gheorghe Puflea, tha se nuk mund të fle pasi zgjohet nga dronët.
“Mund të largohem në çdo moment, por çfarë të bëj me kafshët? T’i lë këtu?”, pyeti ai, teksa po u ushqente pulat e tij. Ai po ashtu ka derra, një kalë, një ka dhe një qen.
“Në fund të fundit, kafshët janë mësuar me dronët”, shtoi ai, duke theksuar se fillimisht kafshët e tij ishin frikësuar nga shpërthimet në Ukrainë.
Për vete, ai tha se nuk frikësohet.
“Ne jemi mirë për momentin. Ende kemi ushtrinë e NATO-s këtu që na mbron”.
Plauru ndodhet vetëm 300 metra matanë lumit nga porti ukrainas i Izmailit, ku u sulmua cisterna turke. Në vitin 2023, Ushtria rumune ndërtoi strehimore kundër sulmeve ajrore në fshat.
Vetëm gjatë javës së fundit, tri herë ka pasur shkelje të hapësirës ajrore nga dronët. Më 25 nëntor, banorëve u është kërkuar të strehohen, pasi lufta rrezikonte – sërish – të përhapej në territorin e NATO-s.
Rumania ka legjislacion që i mundëson të rrëzojë dronë edhe në kohë paqeje nëse janë në rrezik jeta apo prona, por shteti ende nuk e ka përdorur atë. Ministri i Mbrojtjes, Ionut Mosteanu, tha më 25 nëntor se edhe pilotëve gjermanë u ishte dhënë leja për të hapur zjarr.
“Me shumë gjasë, duke analizuar dëmet potenciale kolaterale që mund të shkaktonin duke përdorur armë mbi territorin rumun, ata zgjodhën të mos angazhoheshin. Ky është supozimi im”, shtoi ai.
Në Moldavi, policia publikoi një fotografi të dronit që ra mbi çatinë e një ndërtese. Droni i ngjan modelit Shahed, i cili përdoret gjerësisht nga Rusia dhe mban shkronjën “Z” – një simbol që shpesh përdoret nga ushtria ruse gjatë pothuajse katër vjetëve të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës – të lyer në bisht.
Policia tha se nuk ishte e qartë nëse droni bartte eksplozivë dhe kishte evakuuar banorët lokalë. Ministria e Jashtme e Moldavisë njoftoi se do të thërrasë ambasadorin rus për shpjegime.
Më vonë u raportua se një copëz e dronit ra në oborrin e një ndërtese banimi në Puiesti, një qytet në lindje të Rumanisë, më shumë se 100 kilometra larg Ukrainës. Nuk u raportua për të lënduar dhe Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë tha se droni nuk po bartte eksplozivë.
Shkeljet e hapësirës ajrore nga dronët rusë të Rumanisë dhe Polonisë, së bashku me hyrjet e avionëve ushtarakë rusë në hapësirën ajrore të Estonisë, kanë bërë që NATO të nisë iniciativën “Roja Lindore” për forcimin e mbrojtjes ajrore.
Ndërkaq, muajin e kaluar Komisioni Evropian ka miratuar një udhëzues pesëvjeçar të mbrojtjes që parasheh plane për një “mburojë për dronët” e cila pritet të jetë funksionale deri në fund të vitit 2027. REL
(A2 Televizion)
