
Të paktën 14 persona kanë vdekur pasi një varkë prej gome që po bartte migrantë u fundos në brigjet pranë provincën perëndimore të Turqisë, Mugla, thanë zyrtarët.
Autoritetet turke thanë se po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Përmes një njoftimi, Zyra e guvernatorit në Mugla tha se një burrë afgan ka shpëtuar nga fundosja e varkës dhe arriti në brigjet turke, duke alarmuar autoritetet pak pas orës 1 të mëngjesit.
Ky shtetas afgan u tha shërbimeve të emergjencës se 18 persona ishin në varkën prej gome, por pak pas nisjes ajo u fundos, u tha në njoftimin e Zyrës së guvernatorit.
Ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të gjenin të mbijetuarin e dytë, ndërkaq nxorën nga deti 14 trupa të pajetë.
“Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen me katër anije të rojeve bregdetare dhe në këto operacione është përfshirë edhe një helikopter dhe një ekip i posaçëm i zhytësve të rojeve bregdetare”, u tha në njoftim.
Deti Egje është një rrugë e zakonshme transiti për mijëra migrantë që përpiqen të kalojnë nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme drejt Evropës, veçanërisht nga Turqia, e cila mirëpret miliona refugjatë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.
Numri i migrantëve të parregullt të kapur në Turqi arriti rekordin në vitin 2019, me pothuajse 455 mijë persona, kryesisht nga Afganistani dhe Siria, sipas Presidencës për Menaxhimin e Migracionit.
Më shumë se 122 mijë migrantë janë ndaluar në Turqi deri më 16 tetor të këtij viti./ REL (A2 Televizion)
