Kryeministri belg Bart De Wever mbrojti me forcë refuzimin për të mbështetur një kredi prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën.
Ai këmbënguli se shtetet e tjera anëtare duhet të ndajnë risqet financiare dhe ligjore përpara se ai te japë dritën jeshile. Duke folur për gazetarët në Bruksel pas një samiti që shfaqi ndasi të thella mes liderëve të BE, De Wever tha se Belgjika, e cila edhe mban asetet e nrgira të Moskës që do të financonin kredinë për rindërtimin e Ukrainës, ishte e ekspozuar që tani ndaj rreziqeve përmes një skeme tjetër 45 miliardë euroshe që përdor përfitimet nga asetet ruse të mbajtura nga Euroclear.
Duke ju referuar një artikulli të “Politico”, kryeministri belg tha se nuk ishte një djalë i keq: “Nuk jam një djalë i keq. Madje, jemi mes më të mirëve. Nëse i referohemi aseteve të ngrira, jemi më të mirët absolutisht”.
Kredia e mbështetur fuqishëm nga Gjermania, Franca dhe shtetet baltike dhe Komisioni Europian shihet si një varkë jetike shpëtimi për Kievin, e cila shmang taksapaguesit e BE pasi përdor paratë ruse. Në një konferencë të gjatë pas samitit të tensionuar në Bruksel, De Wever sugjeroi se reputacioni i vendit ishte minuar rëndë nga liderët e tjerë të BE që po akuzojnë Belgjikën për bllokim të planit.
Madje, sipas tij, zyrtarë ukrainas dhe rusë kanë kërkuar llogari mbi pretendimet se Belgjika po përfiton nga këto asete. Kjo, sipas udhëheqësit belg, ka ardhur si pasojë e shpifjeve që disa kolegë po bëjnë pas shpinës së tyre. Ai bëri thirrje për solidaritet europian, ndërsa kërkoi që shtetet e tjera anëtare të garantojnë se Rusia mund të rimbursohet menjëherë nëse do të rifitojë akses tek asetet.
Ky kusht, sipas tij, nuk kishte marrë një përgjigje pozitivë në tryezën e samitit. (A2 Televizion)
