
Ndërsa buldozerët kanë filluar shembjen e Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë për t’i hapur vend një salle të re madhështore balloje, Presidenti Donald Trump ka theksuar se projekti “nuk do t’i kushtojë asnjë qindarkë taksapaguesve amerikanë”.
Në vend të kësaj, financimi prej rreth 300 milionë dollarësh do të mbulohet nga dhurime private, shumë prej tyre nga korporata gjigante dhe donatorë të pasur që kanë lidhje të ngushta me administratën ose interesa të drejtpërdrejta ekonomike në politikat e qeverisë federale. Paratë po kalojnë përmes organizatës jofitimprurëse Trust for the National Mall, dhe dhurimet njihen nga tatimet si shpenzime.
Sipas dokumenteve të publikuara nga administrata, raportuar nga CNN, mes kontribuuesve gjenden emra të mëdhenj nga fusha e teknologjisë, energjisë, mbrojtjes dhe kriptomonedhave, duke përfshirë kompani si Google, Amazon, Apple, Meta, Microsoft, Lockheed Martin, si dhe miliarderë të njohur si Miriam Adelson, Stephen Schwarzman, Harold Hamm, dhe vëllezërit Winklevoss.
Kush janë donatorët kryesorë?
Familja Adelson – Filantropia miliardere Miriam Adelson, pronare e shumicës së aksioneve të ekipit të NBA-së Dallas Mavericks, ka qenë ndër mbështetëset më të mëdha të Trumpit që nga fushata e vitit 2016. Ajo dhe bashkëshorti i ndjerë, Sheldon Adelson, kanë dhuruar mbi 30 milionë dollarë për fushatat e Trump.

Google (Alphabet) – Gjiganti teknologjik ka kontribuar me 22 milionë dollarë “në emër të presidentit”, si pjesë e një marrëveshjeje ligjore që lidhet me bllokimin e Trump-it në YouTube në vitin 2021. Kompania ka përfituar kontrata federale me vlerë deri në 200 milionë dollarë për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Amazon – Kompania e Jeff Bezos, dikur në konflikt me Trump-in, ka dhuruar mbi 1 milion dollarë për komitetin inaugurues të vitit 2025. Amazon Web Services ka përfituar mbi 500 milionë dollarë nga kontrata qeveritare në tre vitet e fundit.
Apple – CEO Tim Cook ka ruajtur marrëdhënie të afërta me presidentin, duke i dhuruar personalisht 1 milion dollarë dhe duke i ofruar një statuettë të personalizuar prej ari gjatë një takimi në Zyrën Ovale këtë verë.

Lockheed Martin – Kontraktori më i madh i Pentagonit, me mbi 40 miliardë dollarë në kontrata federale në vit, dha 1 milion dollarë për projektin, duke e quajtur sallën e re “një simbol të idealeve amerikane”.
Kriptomonedhat në qendër të financimeve
Një pjesë e madhe e donatorëve vjen nga bota e kriptomonedhave, një sektor që Trump ka përqafuar fuqishëm në mandatin e tij të dytë.
Ripple, krijuesja e monedhës digjitale XRP, dhuroi pothuajse 5 milionë dollarë – kontributi i dytë më i madh individual.
Vëllezërit Cameron dhe Tyler Winklevoss, themelues të platformës Gemini, kanë dhuruar secili mbi 1,6 milionë dollarë, kryesisht në kriptomonedha, dhe mbështesin planet e Trumpit për krijimin e një rezerve kombëtare në kripto.
Paxos Trust Company dhe drejtuesi i saj Charles Cascarilla, si dhe Coinbase, një nga bursat më të mëdha amerikane të kriptomonedhave, kanë bërë gjithashtu donacione milionëshe për projektin dhe komitetet politike të presidentit.

Nga financa te energjia dhe ndërtimi
Howard Lutnick, ish-CEO i Cantor Fitzgerald dhe tani Sekretar i Tregtisë në administratën Trump, dhuroi mbi 9 milionë dollarë për organizatat pro-Trump në fushatë, ndërsa Stephen Schwarzman, drejtuesi i Blackstone, ka dhuruar mbi 4 milionë dollarë.
Në sektorin e energjisë, Harold Hamm, themeluesi i Continental Resources, një nga pionierët e industrisë së naftës në SHBA, ka dhuruar mbi 3 milionë dollarë personalisht dhe më shumë përmes kompanisë së tij.
Ndërsa nga ndërtuesit, Caterpillar, furnizues i rëndësishëm i ushtrisë amerikane, kontribuoi me 100 mijë dollarë, dhe Paolo Tiramani, themelues i kompanisë BOXABL, dhuroi aksione me vlerë 10 milionë dollarë për fondin e projektit.

Korporatat e tjera me interesa qeveritare
Në listë gjenden gjithashtu Comcast dhe Meta, kompani mediatike që kanë përmirësuar raportet me presidentin pas një periudhe tensionesh. HP Inc., Microsoft, NextEra Energy dhe Union Pacific Railroad, të gjitha me kontrata të rëndësishme me qeverinë federale.
Hard Rock International, në pronësi të fisit Seminole, i cili dikur bleu një prej kazinove të falimentuara të Trumpit në Atlantic City.

Përzierje e politikës me biznesin
Në mesin e donatorëve janë edhe disa anëtarë aktualë të kabinetit, përfshirë Kelly Loeffler, Administratore e Bizneseve të Vogla, dhe bashkëshorti e saj, Jeff Sprecher, CEO i New York Stock Exchange, të cilët kanë dhuruar së bashku mbi 13 milionë dollarë.
Kritikët e projektit kanë ngritur pyetje për konflikt interesi, duke theksuar se shumë nga kompanitë dhe individët që financojnë sallën e re kanë përfituar nga politika, kontrata ose vendime rregullatore të administratës Trump.
Megjithatë, presidenti ka theksuar se “salla do të jetë një dhuratë për popullin amerikan” dhe një “simbol i fuqisë dhe madhështisë së kombit”. (A2 Televizion)
