
Një shtetas saudit është akuzuar për vendosjen e fshehtë të një pajisjeje regjistrimi në një nga zyrat e OpenAI në Kaliforni, njoftuan prokurorët federalë.
Abdulrahman Alfozan, i cili punonte si inxhinier në kompaninë e inteligjencës artificiale, është akuzuar në nivel federal për përdorimin ose përpjekjen për të përdorur një pajisje elektronike, mekanike ose të një lloji tjetër për të përgjuar komunikime gojore.
OpenAI bëri të ditur se kishte zbuluar një “pajisje regjistrimi të sofistikuar”, të fshehur në zyrën e saj në San Francisko, dhe kishte njoftuar FBI-në. Kompania tha se përdori modelet e saj të inteligjencës artificiale për të gjurmuar dhe përcaktuar se pajisja ishte vendosur nga një punonjës.
Sipas prokurorëve, pajisja, e mbështjellë me letër higjienike, u gjet e futur në portën USB në pjesën e pasme të një televizori, në një sallë konferencash të drejtuesve të kompanisë.
OpenAI, kompania që krijoi chatbot-in e njohur ChatGPT, deklaroi se nuk ka asnjë të dhënë që kodi burimor, parametrat e modeleve të inteligjencës artificiale apo të dhënat e klientëve të jenë aksesuar ose marrë në mënyrë të paautorizuar gjatë incidentit. Kompania bëri të ditur se punonjësi është pushuar nga puna.
Sipas padisë, Alfozan “dyshohet se fshehu një pajisje regjistrimi në sallën e konferencave të drejtuesve të kompanisë ku punonte, me qëllim përgjimin e fshehtë të komunikimeve sensitive”, deklaroi në një njoftim drejtori i FBI-së, Kash Patel.
Patel tha se qëllimi i dyshuar ishte sigurimi i informacioneve mbi produktet e inteligjencës artificiale të kompanisë. Sipas prokurorëve, Alfozan punonte si inxhinier në OpenAI që prej korrikut të vitit 2025.
(A2 Televizion)