
Një objekt kyç energjetik që furnizon Kievin me ngrohje dhe energji elektrike është goditur nga një sulm rus me raketa balistike, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Termocentrali Darnytska CHP-4, i njohur edhe si CHPP-4, si dhe një ndërtesë banimi, u goditën gjatë sulmit, për të cilin presidenti tha se ndodhi “pa asnjë paralajmërim paraprak nga partnerët tanë”.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se dy persona humbën jetën dhe 21 të tjerë u plagosën nga goditja me raketa ndaj pallatit të banimit, mbrëmjen e së martës. Ai bëri të ditur gjithashtu se “disa objekte energjetike” në Kiev u goditën, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kievi ka raportuar disa sulme ruse që kur presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi dy ditë më parë se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord për një armëpushim në sektorin energjetik.
Në orët e para të së mërkurës, Klitschko tha se “sulmet masive me raketa” kishin ndërprerë energjinë elektrike në disa zona të Kievit.
Autoritetet e kryeqytetit ukrainas u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimore, pasi shpallën gjendjen e alarmit të kuq për shkak të “kërcënimit nga raketat”.
Pas sulmeve të së martës, Zelensky deklaroi: “Ukraina e mbështeti armëpushimin në sektorin energjetik. Rusia po godet një tjetër central elektrik dhe po rrezikon jetën e njerëzve tanë”.
“Kjo është krejtësisht e padrejtë: ndërsa ata shkatërrojnë infrastrukturën tonë energjetike, Ukraina nuk po merr as paralajmërime paraprake për lëshimin e raketave balistike”, shtoi ai. (A2 Televizion)