Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po konsideron të zgjerojë kufizimet në udhëtime, duke u ndaluar potencialisht hyrjen në SHBA, të shtetasve nga 36 vende të tjera.
Diçka e tillë thuhet në një kabllogram të brendshëm të departamentit të shtetit të parë nga Reuters. Më herët gjatë muajit, presidenti republikan firmosi një urdhër që ndalonte hyrjen e qytetarëve nga 12 vende, duke thënë se lëvizja ishte e nevojshme për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga terroristë të huaj dhe kërcënime të tjera ndaj sigurisë kombëtare.
Në memon e brendshme diplomatike të firmosur nga Sekretari i Shtetit Marko Rubio, DASH liston një sërë shqetësimesh mbi vendet në fjalë dhe kërkon marrjen e masave.
“Departamenti i Shtetit ka identifikuar 36 vende, për të cilat mund të rekomandojmë pezullimin e plotë ose të pjesshëm të udhëtimeve drejt SHBA nëse ato nuk përmbushin kushte të caktuara brenda 60 ditësh”, thuhet në kabllogram.
Mes shqetësimeve përmendet mungesa e një qeverie kompetente për të prodhuar dokumente të besueshme, apo siguria e dyshimtë e pasaportave të vendeve të caktuara.
Siç thuhet, disa vende nuk kanë qenë bashkëpunuese në lehtësimin e deportimit të shtetasve të tyre. Mes tyre janë, Angola, Egjipti, Gana, Sudani Jugor, Siria etj. Më herët vendimi për ndalim të udhëtimeve u mor për vende të tilla, si Afganistani, Mianmari, Irani, Libia, etj. (A2 Televizion)