Autoritetet franceze kanë bllokuar qasjen në stendat e katër kompanive izraelite të armëve gjatë panairit ndërkombëtar të aviacionit “Paris Air Show”, me arsyetimin se kishin ekspozuar “armë ofensive” në kundërshtim me marrëveshjet e vendosura, shkruan A2 CNN.
Stendat e bllokuara ishin ato të kompanive Rafael, Elbit Systems, Israel Aerospace Industries (IAI) dhe Uvision – të cilat prodhojnë bomba të komanduara, raketa dhe dronë të përdorur në fushatat ushtarake të Izraelit, përfshirë edhe në Gaza. Muret e zinj të ngritur rreth stendave shërbyen për të mbuluar ekspozitat, duke nxitur reagime të ashpra politike dhe diplomatike.
Presidenti izraelit Isaac Herzog e quajti vendimin francez si një akt “skandaloz” dhe kërkoi korrigjimin e menjëhershëm të tij. Ai deklaroi për televizionin francez LCI: “Kjo është si të krijosh një geto izraelite në mes të Parisit”.
Ministria e Mbrojtjes së Izraelit reagoi gjithashtu me një deklaratë të ashpër, duke e quajtur vendimin si një formë “diskriminimi dhe segregimi”. Presidenti i kompanisë IAI, Boaz Levy, e krahasoi skenën me “ditët e errëta kur hebrenjtë u ndanë nga shoqëria evropiane”.
Ndërkohë, kompania Rafael e përshkroi veprimin e Francës si “i paprecedentë, i pajustifikuar dhe i motivuar politikisht”. Dy politikane republikane amerikane, guvernatorja Sarah Huckabee Sanders dhe senatorja Katie Britt, që po marrin pjesë në panair, e quajtën vendimin francez “absurd” dhe “të pamatur”.
Ndërkohë, disa stenda të tjera më të vogla izraelite, të cilat nuk kishin pajisje ushtarake të ekspozuara, si dhe një stendë e Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit, mbetën të hapura për publikun.
Organizatorët e “Paris Air Show” janë shprehur se po zhvillojnë bisedime për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët. Në këtë edicion të panairit marrin pjesë mbi 2400 kompani nga 48 vende, përfshirë rreth 75 kompani të industrisë së armëve. Nëntë kompani izraelite ishin regjistruar për të marrë pjesë, një numër më i vogël se në vitet e mëparshme, pas përpjekjeve të disa OJQ-ve për t’i përjashtuar për shkak të përfshirjes në konfliktin në Gaza. (A2 Televizion)